Partia Socialdemokrate ka filluar dje peticion online për rritjen e pagës minimale, në vazhdën e aktiviteteve lidhur me këtë çështje.
E për vetëm 24 orë thotë se mbi 2000 qytetarë kanë nënshkruar këtë peticion, transmeton Koha.net.
Këto shifra u prezantuan në konferencën e sotme për media të PSD-së, ku deputeti Frashër Krasniqi dhe zëdhënësja Natyra Kuçi, ndër të tjera adresuan thirrje në drejtim të qeverisë që kjo pagë të rritet sa më parë.
“Ne mendojmë që koncepti i pagës minimale duhet të ndryshojë nga një pagë për mbijetesë në një pagë për të jetuar. Jemi të vetëdijshëm që shuma të cilën e propozojmë nuk është zgjidhje e përhershme, por është një hap më tutje i cili ofron rrugë të reja për përmirësimin e jetës së qytetarëve në të ardhmen”, deklaroi zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, i cila rikujtoi po ashtu se kjo pagë nuk është rritur për 8 vite.
Kurse, deputeti Frashër Krasniqi ftoi qytetarët që të vazhdojnë ta nënshkruajnë këtë peticion, duke e quajtur këtë formë për rritjen e presionit tek ekzekutivi që të ndërmarrë hapa sa më parë.
“Përmes këtij peticioni duam që këtë nismë të rëndësishme, ta zhvendosim nga Kuvendi dhe zyrat e PSD-së, në angazhimin e drejtpërdrejt të qytetarëve; i ftoj qytetarët që të hyjnë në faqen www.peticione.com dhe të shpenzojnë 2 minuta kohë që të nënshkruajnë peticionin online në mënyrë që kërkesa ndaj qeverisë të bëhet sa më e madhe dhe e fuqishme”, tha Krasniqi.
-
Miratohet rezoluta për rritjen e pagës minimale
-
PSD-ja nis peticion për rritjen e pagës minimale në Kosovë
-
19 organizata u kërkojnë deputetëve që të miratojnë ligjin për pagën minimale
-
Paga minimale – dikur urgjencë tash e harruar
-
400 euro paga minimale, partitë opozitare kërkojnë mbështetje për sektorin privat