Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PSD-ja me performancë fton Kurtin të shikohet në pasqyrë për protestën e 10 shkurtit

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Partia Socialdemokrate, përmes një performance në sheshin “Nënë Tereza” pranë pllakës përkujtimore të Mon Balajt e Arben Xheladinit që u vranë më 10 shkurt të 2007-s në protestat kundër Pakos së Ahtisaarit, ka ftuar kryeministrin Albin Kurti ta shohë veten në pasqyrë.

Sipas Teutë Rrustës nga PSD-ja, Kurti duhet të shohë veten në pasqyrë, duke thënë se “kundërshtuesi më i madh i planit të Ahtisaarit tash në planin qeverisës s’ka asnjë rresht për synimin e kësaj proteste”.

“Siç e dini sot u bënë 13 vjet nga protesta e 10 shkurtit, që kishte qëllim kundërshtimin e Planit të Ahtisaarit. U vranë nga njësiti i UNMIK-ut Mon Balaj dhe Arben Xheladini duke protestuar. Por ky 10 shkurt është më i veçantë sepse kjo datë e gjen Kurtin kryeministër, kundërshtarin më të madh të planit të Ahtisaarit. Në alternativën qeverisëse të VV-së dhe në programin e 2017-s kemi brenda synimeve edhe ndryshimet kushtetuese që shmangin pengesat që dalin nga plani Ahtisaari. Mirëpo, tash në planin qeverisës të Kurtit s’kemi asnjë rresht për synimin e kësaj proteste. Kjo flet për llojin e qeverisë që do ta kemi. Përderisa Kurti gjen hapësirën për të bë nderime, në të njëjtën kohë ai nuk ndërmerr, dhe këto janë dokumente të lexuara e jo paragjykime, pra Kurti as nuk ka synim të marrë asnjë hap konkret për ndryshime kushtetuese të cilat kanë për brenda shumicën e dyfishtë që e fuqizojnë Listën Serbe, tash kolegë të Kurtit. Jeta demokratike e Kosovës është bllokuar përmes shumicës së dyfishtë dhe synimet për ta larguar këtë pengesë nuk shohim askund në dokumentet e tyre”, ka thënë ajo.

“10 shkurti është dita kur Kurti duhet ta shohë veten në pasqyrë. S’ka kuptim që kjo protestë të shpërlahet politikisht. Përndryshe mund t’i themi oportunizëm politik. Ftojmë Kurtin të mos e largojë pasqyrën, por të ketë guxim e ta shohë veten në të”, ka shtuar Rrusta në një deklaratë për media.

Artikuj të ngjashëm