Dy partitë opozitare, PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe Alternativa e Mimoza Kusari-Lilës, do të bëhen pjesë e ekipit të qeverisë për dialogun me Serbinë.
Burimet i kanë thënë KTV-së se pushteti do të provojë që qysh nesër në seancën e Kuvendit ta miratojë Rezolutën për dialog dhe ekipin negociator qeveritar për këtë proces.
Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, pritet ta bashkëkryesojë ekipin me Fatmir Limajn e Nismës.
Sipas burimeve të KTV-së, ky është fillimi i një bashkëpunimi më afatgjatë mes PSD-së dhe Alternativës, bashkë me AAK-në, që kanë diskutuar garimin e përbashkët me një listë në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Kusari-Lila nuk e konfirmon bashkimin me ekipin negociator
10:50 - Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për Koha.net, nuk e ka konfirmuar se do t’i bashkohen ekipit negociator.
“Nuk mund të konfirmoj se nesër i bashkohemi ekipit negociator. Alternativa nuk ka vendim për bashkim në ekip negociator, pasi që nuk e dimë për çfarë ekipi ende po bëhet fjalë”, ka thënë Kusari-Lila për Koha.net.
Ajo ndërkohë ka mohuar se Alternativa është pjesë e bisedimeve për listë të përbashkët në mes PSD-së dhe AAK-së për zgjedhjet nacionale.
Alternativa, ndërkaq, pas komunikimit që Koha.net pati me kryetaren Kusari-Lila, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Ky është reagimi:
Lajmi i publikuar në Koha.net se është arritur marrëveshja që Alternativa të jetë pjesë e ekipit negociator qeverisës dhe se ky është fillimi i një bashkëpunimi për listë të përbashkët në mes të PSD dhe AAK për zgjedhjet e ardhshme është i pavërtetë dhe nuk qëndron.
Alternativa i ka prezantuar kriteret për mbështetje të ekipit negociator dhe asnjëherë listën e përbashkët me PSD dhe AAK.
Me PSD kemi bashkëpunim parlamentar dhe strategjikisht po e diskutojmë bashkëpunimin, por në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë me listë të përbashkët me AAK.
Ne besojmë se dialogu është procesi i vetëm për arritjen e stabilitetit në Ballkan, por jo në mënyrën e deritashme dhe me formën e deritanishme.
Dialogun e mbështesim vetëm nëse tema e kufijve nuk është për diskutim dhe nëse Presidenti nuk e udhëheq dialogun.
Marrëveshje për mbështetje të ekipit qeveritar nuk ka pa u sqaruar temat e lartshënuara dhe pa u arritur konsensusi për mbështetje parlamentare të procesit.