Me moton “Boll Ma” ka nisur në Prishtinë protesta kundër dhunës institucionale dhe shoqërore ndaj grave.
Kjo protestë është vazhdimësi e protestës së mbajtur gjatë ditës së djeshme në qytetin e Gjakovës, ku u marshua në kërkim të drejtësisë për dy viktimat e fundit të dhunës në familje, ku dyshohet se një grua 40 vjeçare, së bashku me të bijën e saj, 9 vjeçare, janë vrarë nga ish-bashkëshorti i gruas.
“Në Kosovë kemi drejtësi selektive, punohet për të fortin dhe jo viktimën”, ka thënë Luljeta Aliu, organizatore e protestës.
“Çfarë shteti është ky ku e lejon të vdesë një nënë me një fëmijë pas disa thirrjeve në polici. Ku e di ajo çka është urdhër mbrojtja. Unë një gjë të tillë e kam përjetuar, me shkelma më kanë qit prej zyrës”, shtoi ai, raporton KTV.
Ndërsa Besnik Leka, ka thënë se përmes kësaj proteste po kërkojnë dënimin e kriminelëve, që listës me gra të vrara të mos i shtohet edhe një emër.
Marshi protestues vazhdoi drejt Policisë. Organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të jetë paqësore, dhe pas një ndalese te Policia marshi po vazhdon drejt objektit të Qeverisë.