Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protestë e studentëve në Shqipëri, afat qeverisë që deri në orën 16:00 të përmbushë 8 kërkesat e tyre

Në të gjithë vendin ka nisur protesta e studentëve, të cilët mbështeten edhe nga gjimnazistët. Ata shprehen të vendosur për t’i shkuar deri në fund misionit të tyre, deri në plotësimin e 8 kërkesave.

Studentët në Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë, Sarandë, Korçë, Gjirokastër etj, janë solidarizuar me kolegët e Tiranës dhe kanë dalë në sheshet e qyteteve të tyre për të kërkuar plotësimin e kërkesave.

Nga ana tjetër, studentët refuzojnë çdolloj dialogu me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se kushdo që shkon të bisedojë me shefin e ekzekutivit nuk është pjesë e tyre.

Ora 16:00 e ditës së sotme është afati i fundit që studentët i kanë lënë qeverisë për të plotësuar 8 kërkesat e tyre. Në skadim të këtij afati, kanë paralajmëruar përshkallëzim, deri në grevë urie.