Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nuk ndalen protestat në Shqipëri

protesta

Protestat e të rinjve në Shqipëri të dielën janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë. Ato nisën të martën para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, por më pas u përshkallëzuan, me protestuesit që hodhën gurë dhe sende të tjera drejt objekteve publike e private, disa prej të cilave u dëmtuan. Të rinjtë po kundërshtojnë rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionin, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra. Protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Rama paralajmëron familjet e të miturve: Do ta paguani nëse nuk mbani përgjegjësi për fëmijët

5 min. më parë / 19 tet 2026 09:05
edi rama

Shteti do ta fitojë këtë betejë. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në përgjigje të protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin prej 6 ditësh. Sipas kreut të qeverisë kush mendon se mund të marrë pushtetin përmes dhunës, do të zhgënjehet.

Ai paralajmëroi familjarët e të miturve se do të paguajnë nëse nuk mbajnë përgjegjësi për fëmijët.

“Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet. Por nuk diskutohet që kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë dashakeqësit e Shqipërisë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë forcat që nuk e duan Shqipërinë me kokën lart në këtë rajon, ku kemi qenë për shekuj me radhë të poshtëruar. Nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka. Nuk e duan Shqipërinë që të ketë 12, 13, 20 milionë turistë. E duan Shqipërinë që të mos vijë askush këtu, siç ndodhte më përpara, kur numëroheshim për turistë kur hynim dhe dilnim ne…I them familjeve të të miturve që do të paguani nëse nuk mban përgjegjësi për fëmijët tuaja të mitur. Fatura financiare do t’u përndjekë deri në fund. Nuk do kenë arsim falas ata që dhunojnë policinë e shtetit nëse duan të vazhdojnë universitetin nëse kanë hedhur gurë ndaj efektivëve”, theksoi Rama.

Rama: Protestuesit e maskuar nuk janë studentë, por njerëz që adhurojnë dhunën

13 min. më parë / 19 tet 2026 08:57
edi rama

 Kryeministri Edi Rama, në një takim me Policinë e Shtetit, deklaroi se protestat e ditëve të fundit janë "valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë nga arsyet e një vendi demokratik për të kërkuar më shumë nga qeveria e për të pasur pakënaqësi".

Rama deklaroi sot se këta që po përmbysin vendin, nuk mund të jenë studentë. Në fjalën e tij Rama tha se kjo nuk është revoltë për arsimin.

“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë të miturit por përdoren nga ata që ëndërrojnë të përsëritet 21 janari.

"U gjetën të miturit 13-14-vjeçarët që merren e vihen përpara me shifra hekuri duke ëndërruar që një polici largqoftë t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri që pastaj të justifikohet e keqja më e madhe duke ëndërruar të kthehet 21 janari për të vënë shenjën e barazisë me ne që e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi me ata që i vrisnin protestuesit në bulevard”, u shpreh Rama.

Ai falënderoi forcat e policisë për rezistencën dhe tha se kjo i bën nder shtetit shqiptar.

“Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flame, forca me të cilën ju po rezistoni i bën nder uniformës suaj dhe shtetit shqiptar dhe është borxh që qytetarët e kthjellët sot duan të shkojnë në punë dhe jo të jetë nën presione lloj lloj kronikanësh e analistësh që tregojnë se policia po gjuan me gurë protestuesit”, ka shtuar tutje ai.

Nga 1 janari, Rama ka thënë se në vitin 2027 do të rriten pagat për punonjësit e policisë. Sipas tij të gjithë ata efektivë që po përballen me këto protesta, do të përfitojë menjëherë një shpërblim prej 2500 eurosh.

Rama i cilësoi protestuesit e maskuar si njerëz që kanë nevojë për psikolog.

“Nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçëzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë (gurin), adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin. Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane”, tha Rama, shkruan A2.