Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin evropian dhe Planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian. BE-ja pret që kjo të ndodhë më 18 mars në Ohër, e nëse nuk ndodh, atëherë palët janë të vetëdijshme për pasojat. BE-ja e sheh obligimin për themelimin e Asociacionit si më të vështirin, por ka krijuar një listë prej së paku 16 shembujve evropianë se si mund të duket dhe të jetë i pranueshëm për Kosovën.
Bashkimi evropian pret që në një skenar ideal kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e radhës të pajtohen edhe për planin e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve.
Takimi i radhës është konfirmuar sot në BE. Ai do të zhvillohet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka thënë sot se plani i implementimit dhe marrëveshja për normalizimin e raporteve janë dy elemente përbërëse të të njëjtit dokument dhe ato s’mund të ndahen.
Ai ka thënë se palët në takimin e fundit janë pajtuar për tekstin e marrëveshjes dhe se kjo është e mbyllur, por ka thënë se është mjaft e vështirë tash të arrihet pajtimi për implementim sepse niveli i mosbesimit mes palëve është aq i lartë sa që me të drejtë të dyja palët kërkojnë edhe garancione e sqarime të qarta rreth afateve kohore dhe sekuencimit të hapave që do të pasojnë në implementim të saj. Ky zyrtar ka thënë se në takimin e fundit s’ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja ndonëse kryeministri i Kosovës e ka kërkuar një gjë të tillë.
Ai ka thënë se fundi i marsit është mjaft i rëndësishëm sepse përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borell do të raportojë më 20 mars, së pari para ministrave të Jashtëm të BE-së e më pas në Këshillin Evropian edhe para liderëve ose për suksesin në dialog ose për arsyet e dështimit. Prandaj, ka thënë ky zyrtar, të dyja palët qartë e kanë marrë mesazhin se çfarë mund të ndodhë në rast se s’do të ketë sukses.
Ky zyrtar i BE-së ka përsëritur se më së vështiri do të jetë pajtimi rreth implementimit të obligimit të Kosovës, siç ka thënë ai, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se BE-ja ka një listë prej së paku 16 shembujve se si mund të zhvillohet kjo në mënyrë evropiane dhe në mënyrë që të jetë e pranueshme edhe për Kosovën. Gjithsesi në BE pohojnë se takimi i fundit në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë ka qenë më i miri deri tash. Ndonëse ka qenë mjaft emocional ka qenë në mënyrë mjaft konstruktive.
Prandaj presin që në takimet e radhës që do t’i zhvillojë Miroslav Lajçak gjatë vizitave në Prishtinë e Beograd dhe takimi në Ohër të shkojë një hap më tej e të pajtohen për planin e implementimit.
Pa planin e implementimit, sipas këtij zyrtari, marrëveshja për normalizim të raporteve do të ishte veëtm deklraatë politike pa obligime ligjore. Por kur të jetë gati edhe marrëveshja për implementim, atëherë që të dyja së bashku do të nënshkruhen dhe do të bëhen edhe ligjërisht obliguese.