Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar vendimin për normat tatimore për tatimin në pronat e paluajtshme për vitin 2022. Por, edhe pse në këtë vendim figurojnë edhe pronat bujqësore, zyrtarët komunalë kanë thënë se ato nuk pritet të tatimohen as në vitin e ardhshëm. Drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka thënë se tatimi në pronë përcaktohet sipas Ligji për tatimin në pronë dhe se vlerësimi i zonave dhe vlerësimi i pronave i tëri kryhet nga Ministria e Financave.
“Ajo që është në kompetencën e Komunës së Podujevës është vetëm caktimi i normave tatimore për të gjitha njësitë e pronave. Vlen të ceket se për njësitë bujqësore ende nuk aplikohet tatimi në pronë. Nuk besoj se aplikohet as për vitin 2022. Mirëpo Ministria e Financave na ka obliguar që të përcaktojmë si normë tatimore, se ende në mënyrë definitive nuk është marrë vendim që të aplikohet norma tatimore (për prona bujqësore v.j.)”, ka theksuar Osmani. “Përndryshe për këto njësitë e tjera të pronave, duke filluar nga pronat pyjore, rezidenciale të ndryshe, komerciale, industriale, aplikohet që tani norma tatimore. Këto norma kryesisht janë në minimumin e normave tatimore, se dihet që edhe me Ligj përcaktohet minimumi dhe maksimumi i normave tatimore. Përndryshe, janë të njëjtat norma tatimore të cilat janë aplikuar edhe në vitin e kaluar. Pra është i njëjti propozim edhe për këtë vit”.
Në vendim janë caktuar normat tatimore për vitin 2022 për të gjitha kategoritë e pronave në territorin e Komunës së Podujevës, me përjashtim të kategorisë-pronë publike. Sipas të njëjtit vendim, për njësitë bujqësore të parcelave, njësitë bujqësore të objekteve, njësitë pyjore të parcelave, njësitë rezidenciale të parcelave, njësitë rezidenciale të objekteve, njësitë komerciale të parcelave dhe për njësitë industriale të parcelave norma tatimore është 0.15 për qind. Kurse për njësitë komerciale të objekteve dhe për njësitë industriale të objekteve norma tatimore është 0.20 për qind.
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, këtë propozimvendim e kanë mbështetur tri grupet e këshilltarëve komunalë, LDK, LVV dhe PDK, i cili është votuar njëzëri.