Zyrtarët e tri komunave të rajonit të Prishtinës (Podujevë, Fushë-Kosovë e Obiliq) nuk kanë arritur që t’i verifikojnë pronat e paluajtshme gjatë vitit 2020.
Sipas raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për këto komuna, më së keqi del të jetë Komuna e Obiliqit, e cila i ka verifikuar vetëm 3.7 për qind, pastaj Podujeva me 9 për qind, ndërsa Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka kryer procesin e inspektimit të 20 për qind të pronave.
Sipas nenit 15 të Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme, Komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20 për qind e të gjitha pronave brenda territorit të Komunës.
“Nga 28,139 prona të evidentuara në bazën e të dhënave, Komuna (e Podujevës v.j.) në vitin 2020 kishte arritur të verifikojë 2,551 apo 9% të pronave të paluajtshme. Sipas zyrtarëve komunalë kjo ka ndodhë për shkak të kufizimeve të lëvizjes si rezultat i pandemisë Covid-19. Verifikimi i ulët i pronave, mund të rezultojë me informata jo të plota të pronës së tatueshme aktuale si dhe të ndikojë në vlerësim jo të saktë të të hyrave për tatimin në pronë”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori në raportin vjetor për Komunën e Obiliqit thuhet se zyrtarët e saj kanë bërë inspektimin e 20 për qind të pronave të regjistruara, ku prej 6,428 pronave, gjatë vitit 2020 ka bërë inspektimin e vetëm 240 pronave, ose vetëm 3.7 për qind të verifikimet të pronave.
“Shkaku për këtë sipas zyrtarëve komunalë ka qenë situata pandemike që është përcjellë me staf të reduktuar dhe mungesa e veturave zyrtare për t’i inspektuar pronat sipas kërkesës ligjore. Inspektimi i ulët i pronave mund të rezultojë me informata jo të plota dhe jo të sakta të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që vlerësimet për tatimin në pronë të mos jenë të sakta”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Obiliqit.
I njëjti ka kërkuar nga kryetari të sigurojë arritjen e verifikimit të 20 për qind të pronave të paluajtshme në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave mbi pronën për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Komunën e Fushë-Kosovës thuhet se nuk është kryer procesi i inspektimin prej së paku 20 për qind i të gjitha objekteve brenda territorit të komunës.
“Në bazën e tatimit në pronë për objektet e vitit 2020 figurojnë gjithsej 23,112 objekte të regjistruara, kurse nga menaxheri i tatimit në pronë nuk janë raportuar raste për inspektimin/verifikimin të pronave të paluajtshme. Sipas zyrtarëve komunalë, kjo ka ndodhur për shkak të pandemisë dhe mungesës së stafit dhe pajisjeve elektronike për këtë qëllim”.
Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës që përmes angazhimit të stafit dhe pajisjeve shtesë duhet të sigurojë që të bëhet verifikimi i kuotës së përcaktuar prej 20 për qind të objekteve në vit siç kërkohet me ligj, ashtu që të reflektohet edhe në gjendjen reale të pronave të tatuara.