Arbëri

Prokuroria s’tregon në ç’fazë është procesi i kallëzimeve penale të Lumezit e Hasanit

Kanë kaluar më shumë se dy vjet qëkurse Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Por, edhe pas dy vjetësh, kjo lëndë nuk po arrin të trajtohet.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës nuk kanë dashur të flasin se çfarë ka ndodhur me kallëzimin penal ndaj Enver Hasanit, për “lajmërim të rremë për Aleksandër Lumezin”, edhe pse pyetjet u janë dërguar që para një jave, raporton KTV.

Vetë Hasani vazhdon insistimin se kryeprokurori Lumezi kishte falsifikuar provimin e tij të Jurisprudencës.

Por, ai ndihet i befasuar me faktin se si as kallëzimi i tij penal ndaj kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, prokurorit Blerim Jusufi, si dhe dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari dhe Sevdije Morina, nuk u morën në shqyrtim nga kjo prokurori.

Aktualisht, me Prokurorinë Themelore është duke udhëhequr Kujtim Munishi, prokurori i cili kishte mbyllur hetimet për “Dosjen Lumezi”, 21 ditë pasi i kishte hapur ato.

Munishi nuk i është përgjigjur interesimit të KTV-së, për të folur rreth këtij rasti.

Ndërkaq Hasani thekson se në momentin kur janë mbyllur hetimet për Lumezin, qe përcaktuar fati i Munishit dhe se pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore është dhuratë për mbylljen e atij hetimi.

Ndryshe, vetë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që në ditën e dytë të publikimit të raportit, kishte paralajmëruar padi për shpifje ndaj Enver Hasanit, por një gjë të tillë nuk e bëri asnjëherë.

Sidoqoftë, tre prokurorë deri më tani kanë kërkuar përjashtimin e tyre nga kallëzimi penal i Policisë për Hasanin. Merita Shala, për shkak se i ati i saj ishte dëshmitar në këtë proces, Merita Lumezi, për shkak se është kunata e Aleksandër Lumezit, si dhe ish-drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, tash prokuror, Zef Prendrecaj.

Me 24 prill të 2018-s, kallëzimi penal ndaj Enver Hasanit, sipas shortit, i ishte ndarë prokurores Nebahate Salihu, e cila lëndën e mori më 10 maj por, që nga ajo ditë, nuk ka informata nëse Prokuroria ka bërë ndonjë veprim që lidhet më këtë çështje.