Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka komentuar rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Millaku ka thënë se ata s’kanë qenë fare në dijeni për aksionin e arrestimit e më pas të deportimit të tyre.
“Ne nuk kemi pasur asnjë informatë për aksionin. Nëse AKI-ja ose dikush tjetër ka pasur informatë që po rrezikohet siguria kombëtare, atëherë është dashur që të njoftohet Prokuroria që të kryhen hetimet”, ka thënë Millaku në një përgjigje dhënë “Kohës Ditore”.
Tutje, ai ka thënë se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar disa kërkesa Prokurorisë Speciale për ekstradimin e një shtetasi turk, emri i të cilit gjendet në listën e grupit të të deportuarve.
“Janë disa kërkesa që vazhdimisht na kanë ardhur përmes MD-së për ekstradimin e disa shtetasve turq. Por, në këto kërkesa ka qenë emri i vetëm njërit nga grupi i gjashtë të deportuarve”, ka theksuar më tej Millaku.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një prononcim për mediat gjatë ditës së sotme në lidhje me rastin e fundit me shtetasit turq, ka thënë se në bazë të informatave që ka siguruar nga AKI-ja, gjashtë turqit e deportuar nga Kosova kanë qenë të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të vendit.
Mirëpo, në bazë të Ligjit për AKI-në, ky institucion është i obliguar që ta lajmërojë Prokurorinë për raste të këtilla, gjegjësisht kur rrezikohet siguria kombëtare.
Edhe
Askush në Kosovë s’di gjë për gjashtë shtetasit turq të deportuar, familjarët e tyre po ikin nga frika
Ligji për AKI-në, në Nenin 25, ndër të tjera, thotë:
“25.2 Nëse gjatë kryerjes së funksioneve të veta, AKI-ja bindet se ekziston bazë për dyshim se një person apo subjekt i caktuar ka kryer apo po kryen një vepër penale, apo po përgatit apo organizon një vepër penale që i nënshtrohet ndjekjes publike, ajo është e obliguar të njoftojë drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe prokurorin publik kompetent.
25.3 Nëse një rast që del nga Neni 25.2 më lartë, përfshin dyshimin për një vepër penale kundër sigurisë së Qeverisë së Kosovës dhe rendit të saj kushtetues, drejtori i AKI-së mund të paraqes një kërkesë prokurorit publik kompetent që policia të suspendojë përkohësisht ekzekutimin e akteve dhe masave në procedimet parapenale kur kjo është në interes të sigurisë kombëtare dhe kur jetët dhe shëndeti i personave të tretë me këtë nuk vihen në rrezik”.
