Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë thirrje që të kihet kujdes me publikimin e informacioneve të pakonfirmuara në lidhje me gërmimet që po zhvillohen në Zubin-Potok për dyshimin për varrezë masive, në shenjë respekti dhe konsiderate për familjarët e viktimave.
“Nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në Zubin-Potok. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga insitucionet kompetente. I bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe këtij procesi hetimor”, ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Gjatë ditës presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në Zubin Potok dhe se i ofron përkrahjen plotë për të gjithë procesin tutje.
“Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t'iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se dyshimi i parë i institucioneve pas gjetjes së mbetjeve mortore në fshatin Kalludër të Zubin Potokut është se ato mund t’u përkasin grupit prej 23 intelektualësh të Mitrovicës, të cilët ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999.
Edhe
Detaje nga gërmimet në Zubin-Potok: Pritet të nisë identifikimi përmes analizave të ADN-së
“Dyshimi ynë i menjëhershëm kur kemi marrë vesh se janë gjetur mbetje mortore, natyrisht ka qenë se bëhet fjalë për grupin e intelektualëve, 23-sosh, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm më 19 prill të vitit 1999, pra grupi i intelektualëve në Mitrovicë. Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm; sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona që të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje, por duket që kemi një varrezë masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut”, deklaroi Kurti.
Në ditën kur u arrestuan dy serbë nga Zubin-Potoku nën dyshimin për krime lufte, në këtë komunë të martën kanë nisur gërmimet për një varr masiv. Të pandehurit dyshohen se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë kanë qenë të përfshirë në veprime që përfshijnë vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile.