Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria në Maqedoni lëshon pesë fletarreste tjera

Prokuroria Themelore Publike në zgjerim të hetimeve për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë ka lëshuar edhe 5 fletarreste të tjera në MPB dhe është në pritje të ekzekutimeve të tyre nga ana e policisë.

Pesë personat e arrestuar për rrahjen e deputetëve dhe gazetarëve tashmë janë dërguar në burgun hetues në Shutkës, përcjell Alsat M.

Gjykata Penale konfirmoi se ata tashmë po e vuajnë paraburgimin prej tetë ditëve që iu caktua me kërkesë të Prokurorisë së Zvërlevskit.

Deri më tani, policia ka ngritur gjithsej 15 kallëzime penale për dhunën e shkaktuar në Kuvend.

Përveç pesë personave që janë në paraburgim në Shutkë, inspektori i arrestuar i DSK-së gjendet në arrest shtëpiak, ndërsa për dy të tjerë gjykata vendosi masën e kujdesit. Ndërsa policia ende është në kërkim për shtatë personat e tjerë që ishin pjesë e grupit të dhunshëm në Kuvend.

Policia mes të tjerash heton kush janë personat që me maska u futën në Kuvend dhe i udhëhoqën protestuesit. Për një pjesë të tyre supozohet të ishin policë.