Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria në Beograd: Nuk ka dëshmi për keqtrajtimin e Sanduloviqit

Zyra e Prokurorisë Themelore në Beograd tha se me dëshmitë e mbledhura deri më tani nuk ka tregues se ka prova bindëse dhe të qarta se opozitari serb, Nikola Sanduloviq, është keqtrajtuar.

Zyra e Prokurorit tha se për shkak të informacioneve të publikuara në media të caktuara lidhur me keqtrajtimin e supozuar të Sanduloviqit më 3 janar nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ky institucion nisi mbledhjen e provave.

“Veç tjerash, nga informacionet e Akademisë Mjekësore Ushtarake – të Klinikës së Neurologjisë, që janë të 4 janarit, shihet qartë se [mjekët] nuk kanë konstatuar lëndime fizike”, u tha në njoftim.

Një ditë më herët, BIA hodhi poshtë pretendimet se udhëheqësi i subjektit opozitar, Nikola Sanduloviq, ishte subjekt i torturës, duke thënë se nuk ka pasur përdorim të forcës së paligjshme fizike ndaj tij.

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi se Sanduloviq ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Edhe BIA mohon se Sanduloviqi është torturuar Arbëri BIA mohon se Sanduloviqi është torturuar

Më 2 janar, Sanduloviq publikoi një video në X – që më herët njihej si Twitter – ku ai shfaqej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sanduloviqi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, deklaroi më 6 janar se Sanduloviq u arrestua me urdhër të tij, urdhër që sipas tij është në fuqi edhe pas dorëheqjes së tij.

Vulin tha për mediat serbe se Sanduloviq u arrestua për shkak se vendosi kurora lulesh në Prekaz.

Sanduloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.

Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për "përhapje paniku" më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit.

Edhe Sanduloviq: Vuçiqi qëndron prapa tentim vrasjes sime Arbëri Sanduloviq: Vuçiqi qëndron prapa tentim vrasjes sime

Më 11 janar, the Guardian, tha se familja e Sanduloviqit, që pretendon se ai është rrahur nga policia sekrete serbe gjatë qëndrimit në paraburgim, ka thënë se ai ishte pjesërisht i paralizuar si rezultat i sulmit.

Ndërkaq, institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sanduloviqit./rel