Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokuroria e Dogana bashkërendojnë punët për luftimin e kriminalitetit

Prishtinë, 12 nëntor – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot drejtorin e përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit.

Kryeprokurori Lumezi e drejtori Berisha, siç thuhet në njoftimin për media, kanë diskutuar për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e veprave penale doganore në Kosovë.

Lumezi, ka theksuar se prioritetet kryesore i institucionit të prokurorit të Shtetit, është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit. Andaj, qëllimi i ynë është që të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit, si dhe me Doganën e Kosovës.

Ndërkaq, drejtori Bahri Berisha, ka thënë se Dogana e Kosovës ka një mision të gjerë, duke filluar nga mbrojta e shtetit, ekonomisë dhe qytetarëve, si dhe dhënia e kontributit në çështjet ekonomike dhe për sigurinë e vendit.

Berisha u shpreh se Dogana e Kosovës në vazhdimësi merret me luftimin e aktiviteteve ilegale, duke rritur sigurinë përmes prezencës në pikat kufitare, luftimin e krimit kufitar dhe trafikut të drogës.