Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria, Dritan Hoti, ka konsideruar se kryeministri Albin Kurti duhej ta jepte shembullin e joshembullit të asaj që dha kryeministri Edi Rama me anulimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare në qershor.
Rama qëndroi për një vizitë në Kosovës gjatë ditës së djeshme. U takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Por s’pati takim me Kurtin.
Hoti ka vlerësuar se kjo qasje e dy kryeministrave nuk i bën aspak nder kombit shqiptar.
“Raportet midis kryeministrave [Kurti dhe Rama] janë si të dy politikanëve që janë produkt i mjedisit politik e kulturor shqiptar. Takimet ndërmjet politikanëve janë një normalitet i marrëdhënieve politike. Kanë qenë drejtues të kombeve që kanë qenë në luftë dhe janë ulur e kanë biseduar. Simbolika e mostakimit nuk është e mirë për kombin shqiptar, por edhe përtej”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Profesori ka theksuar se si anulimi i mbledhjes së qeverive shqiptare, ashtu edhe refuzimi i Kurtit për ta takuar Ramën dje, janë qasje të gabuara në politikë.
“Anulimi i mbledhjes së qeverive ishte shkaku edhe i reagimit të Kurtit, por nëse Shqipëria është shtylla kryesore e dinamikës së çështjes shqiptare, cilado qofshin rrethanat për ta anuluar mbledhjen, ajo duhej mbajtur në emër të një simbolike të fortë. Por edhe Kurti duhej ta kishte lënë pas krahëve atë antagonizmin e katër-pesë javëve më parë dhe duhej ta kishte pritur Ramën. Është diçka njerëzore dhe politike biseda midis dy liderëve. Kurti duhej ta jepte shembullin e joshembullit të asaj që dha Rama me anulimin e mbledhjes”, ka shtuar ai.
Sa i përket draftit të Asociacionit të propozuar nga Rama, Hoti është shprehur se nuk i takonte atij një propozim i tillë. Ose, siç thotë ai, të kishte përfshirë kombëtare edhe të shqiptarëve në Luginë.
“Rama po mundohet ta luajë rolin e protagonistit në rajon, në sinkron me komunitetin ndërkombëtar që do ta kishte një aurë mbrojtëse dhe do ta përdorte për konsum të brendshëm më vonë”, ka thënë profesori Hoti.