Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Procesi i Integrimit Evropian prioritet për Grupin Parlamentar të LDK- së”

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK–së Avdullah Hoti së bashku me deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës po merr pjesë në “Tryezën e rrumbullakët të nivelit të lartë mbi Procesin e Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor në Perspektivën Rajonale“ e cila po mbahet në Bruksel. Tryezë kjo e organizuar në kuadër të Programit Mbështetës të Parlamentit Evropian për parlamentet e vendeve të zgjerimit.

Në sesionin e parë të kësaj tryeze, njofton kumtesa partiake, u diskutua për Agjendën e reformave dhe zbatimin e tyre sa i përket Procesit të Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor me ç`rast Avdullah Hoti theksoi se LDK-ja mbetet e përkushtuar të mbështes reformat që duhet të ndërmerr Kosova për ta përgatitur vendin për anëtarësim në BE.

Gjatë diskutimit për Instrumentin Financiar të Para – Anëtarësimit ( IPA II ), Hoti theksoi se “pavarësisht se Fondet IPA po ndihmojnë Kosovën ato duhet të kenë një planifikim shumë më efikas dhe të mirë koordinuar me qeverinë dhe akterët e tjerë, përfshirë këtu edhe trupat parlamentare që merren me buxhetin dhe zhvillimin ekonomik. Gjithashtu duhet investuar edhe me shumë në ngritjen e kapaciteteve teknike të vendit, në mënyrë që të përmbushen obligimet e marra lidhur me këto fonde”.

Hoti, sipas kumtesës, paraqiti edhe shqetësimin e Grupit Parlamentar të LDK – së lidhur me vonesat e konsiderueshme që po bëhen në shpenzimin e Fondeve IPA, duke theksuar se vonesat e tilla po bëjnë që disa nga reformat të humbasin momentumin si dhe interesimin e qytetarëve.