Drejtuesit e Komunës së Prizrenit dhe delegacioni nga shteti i Iowas janë pajtuar për shqyrtimin e mundësive të thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen. Gjatë vizitës së profesionistëve ushtarakë, akademikë e gazetarë nga shteti amerikan është theksuar synimi për fuqizimin e raporteve ndërnjerëzore dhe rritjen e pranisë arsimore e komerciale të Iowas në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se në saje të realizimit të projekteve të përbashkëta mund të shkëmbehen përvojat pozitive.
“E di që Iowa ka një marrëdhënie shumëdimensionale me Kosovën dhe mund të shkojmë përtej kësaj dhe të kemi marrëveshje binjakëzimi, ose bashkëpunime mes qyteteve. E kemi mes dy vendeve, mes institucioneve, por pse jo edhe mes qyteteve, sepse besoj fuqishëm se mund të bashkëpunojmë, të realizojmë projekte dhe mund të mësojmë shumë gjëra prej juve, e ndoshta edhe ju mund të mësoni diçka prej nevesh”, ka thënë Totaj.
Duke përkujtuar nisjen e bashkëpunimit mes FSK-së e Gardës Kombëtare të Iowas, ish-gjeneralmajori Timothy Orr ka pohuar se synimi i tij ka qenë vendosja e raporteve mes njerëzve të të dyja vendeve.
“E kam ndier se kemi nevojë për qasjen e tërë Kosova, e tërë Iowa. Dhe nuk kishte të bënte vetëm me ushtrinë, por kjo ishte për njerëzit tanë”, ka deklaruar Orr.
Ndërsa, Rusell Ganim nga Universiteti i Iowas ka theksuar se një synim tjetër është lidhja me universitetet e Kosovës.
“Ne shohim një të ardhme të ndritur te një popullatë që është dinamike, që është e re në moshë dhe na jep shpresë për të ardhmen. Pra në fund dua të theksoj se ne jemi tërësisht të përkushtuar për të ndërtuar një prani arsimore e komerciale në Kosovë dhe do të jemi këtu për shumë vite të tjera”, është shprehur ai.
Ditë më parë, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës pati shprehur gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të forcuar partneritetin me Iowan, në të gjitha fushat zhvillimore.