Mungesa e harmonizimit të nevojave të tregut të punës me programet arsimore synohet të zgjidhet brenda pesë vjetësh falë një projekti të financuar nga Universiteti i Iowas. Projekti, i cili ka në fokus sektorin e teknologjisë informative dhe agrikulturën, është parë i domosdoshëm nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Përmes një projekti rreth 4 milionë euro të financuar nga Universiteti i Iowas, synohet që brenda pesë vjetësh të bëhet harmonizimi i nevojave të tregut të punës me programet studimore.
Projekti synon të ndërlidhë partneritete mes universiteteve publike të Prishtinës, Pejës e Prizrenit me bizneset private që merren me teknologji informative dhe agrikulturë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sektori i teknologjisë dhe agrikulturës janë dy drejtimet më me perspektivë në tregun e punës.
“Është thelbësore të sigurohet punësimi për të rinjtë kosovarë, pikërisht këtu në Kosovë, ku ne dëshirojmë që ata të jenë, për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin e tyre. Pra, këtë lloj partneriteti, këtë që së shpejti do ta zyrtarizojmë sot, duke përfshirë qeverinë, sektorin privat, universitetet, është një marrëveshje e zakonshme që ne në Shtetet e Bashkuara e konsiderojmë si ndër praktikat më të mira, ne punojmë në përgatitjen e tregu të punës, ne i lejojmë institucionet që të mësojnë nga njëri-tjetri, ne i lejojmë të ndajnë përvojë, promovimin e kurrikulave të mira, t’i informojmë studentët e fakultetet për tregun e punës dhe aftësitë që nevojiten”, tha Hovenier.
Se ka probleme në ndërlidhjen e nevojave të tregut të punës me programet arsimore e pranoi kryeministri Albin Kurti. Ai tha se përmes kësaj marrëveshjeje, do të adresohet një nga sfidat kryesore sociale të vendit.
“Pjesa kryesore e këtij projekti përfshin lidhjen e thellë të ekspertëve të industrisë dhe universiteteve , do të jetë një kontribut i veçantë në programet e studimit që lidh me TIK dhe agrikulturë, programe studimi për t'iu përgjigjur nevojave specifike të tregut tonë të punës. Bashkëpunimi ndërmjet sektorit civil publik dhe atij privat, është thelbësor për zhvillimin e politikave dhe strategjive efektive që adresojnë sfidat sociale. Bashkëpunime të tilla promovojnë gjithashtu inovacionin dhe rritjen ekonomike dhe përmirëson mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha Kurti.
E rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, u shpreh se përmes marrëveshjes do të identifikohen programe studimore të cilat kërkohen në treg.
“Studenti i Universiteti të Prishtinës përfiton shumë nga kjo marrëveshje përfiton në terma praktikë, përfiton nga ndërhyrja e këtij projekti që ka si qëllimi që të lidh akademinë, programet tona mësimore me tregun e punës dhe në veçanti me industrinë. Ideja është që duke bashkëpunuar me tregun e punës me kërkesat e bizneseve dhe të industrinë që ne më mirë t'i identifikojmë nevojat sa i përket përmbajtjes sonë programore”, tha Qerimi.
Sipas raportit nga projekti austriak “Harmonizimi i Arsimit dhe i Aftësimit me Nevojat e Tregut të Punës – ALLED Faza II”, Kosova ka numër të lartë të universiteteve dhe kolegjeve, krahasuar me numrin e banorëve. Po ashtu, në raport thuhet se mbi 60 për qind e të anketuarve që mbajnë punë në sektorin publik dhe atë privat, kanë pozita që nuk janë të lidhura me shkollimin që kanë kryer.