Arbëri

Pritje të gjata për operim në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve

Përderisa sipas dokumentacionit zyrtar pritja për një intervenim kirurgjik të hernisë te fëmijët është deri në tre muaj, disa familjarë thonë se u është kërkuar të presin deri në një vit ose të orientohen drejt sektorit privat. Në sqarimin që kanë dhënë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve nuk komentuan rastin e familjarit për të cilin ka pyetur KOHA, por kanë arsyetuar ndryshimin e orarit të operacioneve

Deri në tre muaj është pritja për një intervenim kirurgjikal të hernisë te fëmijët në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve sipas dokumentacionit zyrtar të listave të pritjes. 

Por, një prindi të një fëmije trevjeçar, në Klinikë i kanë thënë se për këtë operacion duhet të presë deri në një vit.  

“Shkuam për kontroll në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve. Mjeku na tha që vonohet termini për operacion për nja 12 muaj. Kur e pyetem se a ka ndonjë mundësi për më shpejt, na propozuan vetëm në privat. E më pas, përmes disa lidhjeve familjare, na u premtua që intervenimi të kryhet në Klinikë brenda tre muajsh”, ka thënë një prind në kushte anonimiteti.

Sipas këtij familjari, çmimet në ordinanca private për këtë operacion sillen rreth 800 euro.

Bazuar në listën e pritjes për periudhën janar-qershor që e posedon KOHA, në të janë 64 pacientë e kohëzgjatja e pritjes është rreth tre muaj.

KOHA ka pyetur në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve lidhur me listën reale të pritjes dhe për ankesat e familjarëve. 

Në përgjigjet me shkrim që ka dhënë drejtori i kësaj klinike nuk ka komentuar lidhur me pretendimet e prindit, e për listën e pritjes, ka thënë se nuk ka me kohëzgjatje një vit.

“Varësisht nga numri i operacioneve të mëdha që kemi për operim dhe nga disponueshmëria e anesteziologëve lista e pritjes për operacionet elektive herë zgjatet dhe herë shkurtohet në periudha të ndryshme të vitit. Gjatë periudhës së verës, për shkak të pushimeve vjetore nuk kemi pasur anesteziologë mjaftueshëm dhe shpesh kemi pasur në dispozicion vetëm një sallë operatore. Rrjedhimisht lista e pritjes është zgjatur për rreth një muaj. Gjatë kësaj periudhe në listë të pritjes janë regjistruar edhe 89 pacientë të rinj. Për periudhën qershor - shtator kanë qenë në program operativ gjithsej 167 pacientë nga lista e pritjes, por janë operuar 95 pacientë të listës sepse pjesa tjetër e pacientëve kanë rezultuar me infeksione të rrugëve respiratore ose arsye të tjera që nuk kanë lejuar operimin e planifikuar prandaj këta pacientë vazhdojnë të mbeten në listë të pritjes”, ka thënë Sejdi Statovci, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.

Bazuar në hulumtimin që KOHA ka bërë, të paktën nëntë nga 15 mjekët që punojnë në këtë klinikë ushtrojnë aktivitet edhe në ordinanca apo klinika private. 

Muajin e kaluar KOHA ka raportuar se në 16 klinika të QKUK-së janë mbi 12 mijë pacientë në pritje për të marrë shërbime. 

Në Shoqatën e Pacientëve patën shprehur shqetësim për manipulim me lista brenda klinikave dhe për dekurajim të pacientëve, në mënyrë që ata të orientohen drejt sektorit privat.