Me një minutë heshtje për të gjitha viktimat e pushtimit rus në Ukrainë, ka nisur seanca solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila u mbajt në mbështetje të popullit ukrainas në shenjë solidarizimi dhe thirrje për paqe kur po shënohet 1 vit nga lufta.
Të pranishëm në këtë seancë solemne ishin ambasadorë të vendeve aleate të Kosovës dhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se po ndëshkohet një popull paqësor veç se dëshiron të ndjek rrugën pro-perëndimore. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështes deri në fund luftën e drejtë të Ukrainës. Rama tha se lufta në Ukrainë nuk është vetëm tragjedi për popullin ukrainas, por njollë e errët në ndërgjegjen e gjithë njerëzimit.
“Populli i Kosovës evokon kujtime të ngjashme kur sheh skena të tilla, populli i Kosovës e ka kujtesën e freskët të ushtrimit të dhunës nga agresioni serb nga lufta e fundit, prandaj ne bashkëndjejmë me popullin ukrainas. Ne besojmë që ky brutalitet i Rusisë do të ndëshkohet dhe të shtypet në Ukrainë se Rusisë do t’i duhet me u largua e koritur prej tokës ukrainase, prej tokës që padrejtësisht po e pushton, besojmë që Ukraina do të fitoj e mbrojtësit e Ukrainës do të ngadhënjejnë, besojmë që ky gjak i derdhur dhe ky flijim i tmerrshëm që po paguhet prej kombit ukrainas ka me i dhënë frytet e një fitoreje të madhërishme. Le të bashkohemi në besimin tonë që fitorja mbi agresionin të vijë pa pas nevojë me përjetuar edhe një tjetër përvjetor“, u shpreh Rama.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, thekoi se SHBA do të vazhdoj ta mbështes Ukrainën për aq kohë sa duhet. Ai u shpreh se shteti i Kosovës është rreshtuar karshi BE-së dhe SHBA-së kundër pushtimit rus.
Edhe
Në Kosovë përkujtohet nisja e luftës në Ukrainë
Hovenier u shpreh se nga janari i vitit të kaluar SHBA ka investuar më se 30 miliardë dollarë në asistentë për çështje të sigurisë për popullin ukrainas.
“Si përfaqësues i SHBA-së në Kosovë jam krenar për lidershipin që presidenti Biden ka treguar për të siguruar që SHBA i prinë përpjekjeve globale për të mbështetur Ukrainën përderisa ajo mbron popullin dhe territorin e saj. Putini ka menduar se NATO do të thyhet dhe të qaj, në vend të kësaj NATO është më e bashkuar dhe më unike dhe më bashkë se kurrë më përpara. Populli i Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike, ju keni ofruar strehim ukrainasve që ikin nga lufta, i keni strehuar gazetarët ukrainas që të mund të vazhdojnë punën e tyre në liri dhe siguri keni qëndruar përkrah nesh dhe BE-së në vendosje të sanksioneve si dhe ju keni dhënë krejt çka mundeni për të demonstruar saktësisht se ku qëndron Kosova si dhe për të demonstruar saktësisht me kë qëndroni ju”, tha ai.
Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog u shpreh se pushtimi rus në Ukrainë nuk është vetëm kundër këtij shteti, por edhe agresion kundër demokracisë botërore. Ai tha se Kosova me pozicionin e saj kundër Rusisë ka treguar se është në pjesën e duhur të historisë.
“Pasojat janë parë dhe janë ndjerë në gjithë botën kështu përfshihet këtu edhe Ballkani Perëndimor e sidomos Kosova në veçanti. Ne i shohim efektet e luftës në faturat e rrymës dhe në tregtitë tona. Në muajt e ardhshëm e di që do të duhet të kemi një bashkëpunim të lartë dhe duhet të bashku të qëndrojmë dhe të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe rregullat ndërkombëtare bazuar në të drejtat e njeriut, dua të falënderoj Kosovën që politikisht është bashkuar me BE, mirëpo edhe duke i aplikuar sanksionet Rusisë dhe duke i pranuar refugjatët ukrainas sidomos gazetarët dhe duke iu bashkuar BE-së dhe përfundimit për të përkrahur Ukrainën dhe mendoj se Kosova është në pjesën e duhur të historisë“, u shpreh ambasadori i BE-së në Kosovë.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shprehu mbështetjen e shtetit të tij për t’i dal në mbrojtje qytetarëve ukrainas.
Në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës ku po mbahej seanca solemne në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas ishin edhe gazetarët ukrainas që janë të strehuar në Kosovë.
Gazetarja ukrainase e cila po qëndron në Kosovë, Lyudmila Makey, falënderoi shtetin e Kosovë që i strehoi në një periudhë të vështirë.
“Fatkeqësisht jeta paqësore ukrainase është shkatërruar më 24 shkurt të vitit të kaluar kur Rusia filloi pushtimin....Gjatë kësaj kohe liderët e shteteve evropiane filluan të kuptojnë rrezikun që paraqet rreth botës regjimi kriminal i Putinit. Ata e kuptuan se ukrainasit mbrojnë jo vetëm tokën e tyre por edhe vlerat demokratike të vendeve të tjera. Prandaj, bota filloi të bashkohet dhe të mbështes Ukrainën në luftën e saj të drejtë për të jetuar…Kosova na strehoi në një epokë të vështirë. Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë dhe na dha mundësi të qëndrojmë dhe t’i tregojmë botës të vërtetën për luftën në Ukrainë. Unë ndihem mirë dhe qetë“, theksoi ajo.
Edhe
Kosova zotohet për solidaritet e mbështetje për Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë
Pas seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas, janë lëshuar në qiell pëllumba të bardhë për të dhënë mesazhin për paqe.
Komuna e Prishtinës në shenjë solidarizimin me popullin ukrainas ka vendosur flamujt e Ukrainës në sheshet e kryeqytetit, si dhe u ka dhënë ngjyrat verdhë dhe kaltër vendkalimeve dhe rrethojave në Prishtinë./ KosovaPress