Kur është bërë një vit prej kur Rusia ka nisur agresionin ndaj Ukrainës, në Kosovë janë zhvilluar një numër aktivitetesh solidarizimi me popullin ukrainas. Përfaqësues institucionalë u zotuan se Kosova do të ofrojë mbështetje deri në fitoren e plotë të Ukrainës.
Me shallet verdhë e kaltër, ngjyra të flamurit të Ukrainës, gazetarë nga ky shtet që janë strehuar në Kosovë u sistemuan në hollin e Kuvendit, aty ku minuta më pas do të falënderoheshin nga përfaqësuesit institucionalë.
Në njëvjetorin e nisjes së agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, një nga gazetaret tha nën emocione se Prishtina u është kthyer në një shtëpi të sigurt.
“Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë dhe na e dha mundësinë që të qëndrojmë në profesionin tonë të preferuar dhe t’i tregojmë botës të vërtetën për luftën në Ukrainë. Këtu ndihemi mirë dhe të qetë... Këtu nuk fluturojnë raketat dhe nuk bien bombat. Por, shpirti dhe mendimet janë gjithmonë me Ukrainën”, tha gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey.
Liderët shtetërorë thanë se rezistenca e Ukrainës është luftë për paqe e demokraci.
Presidentja Vjosa Osmani ngriti paralele me luftën e para dy dekadave në Kosovë.
“Kjo nuk është vetëm luftë e tyre. Lufta e Ukrainës është lufta për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe demokracisë kudo në botë. Prandaj, fitorja e tyre është fitore e gjithsecilit që beson në këto vlera. Është në veçanti fitore edhe e popujve që kanë sakrifikuar shumë për liri e demokraci, siç është populli i Kosovës”, deklaroi Osmani.
Kryeministri Albin Kurti u zotua për të ofruar mbështetje deri në fitore të Ukrainës.
“Në një ditë të zymtë si kjo megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë, përveçse si strehë do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë, sepse vetëm kështu do të ruhen paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, tha Kurti.
Kosova i është bashkuar Perëndimit në sanksionet ndaj Rusisë dhe ka shprehur gatishmërinë për të strehuar ukrainas dhe për ta ndihmuar në forma të ndryshme këtë shtet.
E ka bërë këtë pavarësisht që Ukraina ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shprehu pritjen që raportet mes shteteve do të ndryshojnë.
“Unë mendoj që sa keni bërë ju 12 gazetarët që jeni të pranishëm këtu në Republikën e Kosovës, për shkak të raportimeve tuaja, për shkak të rrëfimit tuaj për Kosovën, unë mendoj që janë kompensuar dekada e dekada të tëra të mungesës së afërsisë së popujve tanë. Ju i keni shkrirë këta akuj me zemrat tuaja, me dashamirësinë tuaj, duke e respektuar e falënderuar shtetin e Kosovës dhe duke e bërë më të mirën që populli juaj, që është atje, ta dijë të vërtetën e cila na bashkon, e kjo e vërtetë është rruga nëpër të cilën kemi kaluar”, u shpreh Konjufca.
Në njëvjetorin e agresionit rus mbi Ukrainën, sheshet e kryeqytetit janë stolisur me flamuj të këtij shteti, ndërsa janë zhvilluar edhe një numër aktivitetesh solidariteti me popullin ukrainas.