Arbëri

Prishtina ia jep “Sunny Hillit” 17 hektarë tokë për 99 vjet

17 hektarë tokë bujqësore në Bernicën e Poshtme, janë ndarë për festivalin “Sunny Hill”.

Me 26 për, 19 kundër dhe 3 abstenime në seancën e së martës në Kuvendin Komunal është votuar pro dhënies së tokës së paluajtshme të komunës për këtë festival, për 99 vjet.

Opozita ishte kundër dhënies prej 17 hektarësh në pronësi të një kompanie për kaq shumë vjet. Për të votuar ata kërkuan të ndryshohen disa pika.

“Nuk jemi kundër, por janë diskutabile disa pika. Ndërprite sot dhe kthehu pas dy apo tri dite me një kontratë më të favorshme dhe na keni të gjithë asamblistëve pro. Një pronë publike prej 17 hektarësh, përafërsisht është 30 fusha futbolli, po ja japim një kompanie. Jemi fuqishëm t'i ndajmë parcelë ‘Sunny Hillit’, por duhet të arrihet një barazi interesi”, ka thënë asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla.

Sipas tij, kontrata ka më shumë obligime sesa përfitime për Komunën. Por kryetari Përparim Rama ka thënë se Prishtina ka nevojë për “Sunny Hillin” dhe jo “Sunny Hilli” për Prishtinën.

“Për shkak të qytetarëve të Prishtinës kemi negociuar me ‘Sunny Hillin’. Ky festival sjell artistë të mëdhenj botërorë dhe ka krijuar mundësinë për ardhjen e një numri të madh të turistëve. 8-9 milionë euro ka sjellë për kryeqytetin. ‘Sunny Hill Festival’ është Dua Lipa e cila e ka përfaqësuar Kosovën më së miri. Nëse ne nuk e marrim ashtu, mundet të shkojë në Tiranë, në Shkodër. Nuk i vyen Prishtina ‘Sunny Hillit’, por Prishtinës i vyen ‘Sunny Hill Festival’. Kemi kërkuar që ajo zonë kur nuk shfrytëzohet të jetë park. Nuk do të ketë aty hotele, është me kontratë kjo gjë. Nuk e kemi falë tokën, nëse nuk bëhet më ‘Sunny Hill’ atëherë toka i kthehet komunës. Janë pak nëse ka vizion për ngritje të festivalit në nivel botëror”, ka thënë Rama.

Këtë vit edicioni i tretë “Sunny Hill” do të mbahet në katër ditët e muajit gusht, në datat 4,5,6 dhe 7. Vitin e kaluar, “Sunny Hill Festival” u anulua për shkak të pandemisë. Sivjet është edicioni i tretë dhe ndryshe nga edicionet e kaluara në parkun “Gërmia”, sivjet do të mbahet në Bërnicë të Poshtme