Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prishtina gdhiu e zbardhur nga bora e parë

Prishtinë, 19 nëntor - Prishtina sot gdhiu e bardhë nga dëbora që reshi natën, me nisje pasditen e djeshme përzier me shi edhe në vise të tjera të Kosovës.

Ishte kjo dëbora e parë e kësaj vjeshte në kryeqytet, ndërsa reshje dëbore në Bogë të Pejës e rajone tjera malesh të larta kishte në mëngjesin e para dy ditëve -17 nëntorit, rreth një muaj para ardhjes së dimrit me kalendar.

Para një viti, siç rikujton atsh, në kryeqytetin e Kosovës dëbora e parë e vjeshtës ishte gjatë natës mes 6 e 7 tetorit 2017, dy muaj e gjysmë para ditës së ardhjes së dimrit.

Në këtë vit - 2018-tën, në Prishtinë dëborë ra edhe gjatë katër ditëve të para të pranverës, duke nisur më 20 mars pas ikjes së dimrit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në parashikimin e dërguar thekson se, pas temperaturave të larta që u regjistruan ditëve të fundit, situata meteorologjike ka ndryshuar dukshëm, duke bërë që kjo javë të vijojë me mot tipik vjeshtor, me reshje të herëpashershme të shiut dhe kryesisht i vranë. “Momentalisht në zonat e larta kemi reshje dëbore ndërsa në zonat e ulëta reshje shiu të intensitetit të dobët deri mesatar”, thuhet në njoftim.

Këtë javë, sipas parashikimit, deri ditën e enjte do të vazhdojë të mbajë mot i paqëndrueshëm, kurse nga e enjtja deri ditën e diele do të ketë ngritje në fushat termike.

Këto qarkullime të masave të ajrit dhe këto reshje të shiut do të ndikojnë edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri 2 gradë Celcius, ndërsa maksimalet e ditës 5-9 gradë. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe verilindjes, shpejtësia e së cilës vende-vende do të arrijë mbi 11 metra në sekondë.

Artikuj të ngjashëm