Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë duke hartuar një protokoll që do të konkretizonte deri në detaje menaxhimin e situatës me çerdhe, pas rihapjes. Ai ka thënë se ky protokoll do të udhëtojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale.
Sipas Ahmetit pasi protokolli të finalizohet dhe të vlerësohet situata, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës. Ahmeti ka thënë se prioritet është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.
Prishtina kryeson me numrin e rasteve me COVID-19 në Kosovë. Qeveria e Kosovës iu ka lënë komunave të vlerësojnë situatën dhe të caktojnë datën e hapjes së kopshteve.
Postimi i Shpend Ahmetit në Facebook:
Prindër të dashur,
Pas masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë për qëllim luftimin e pandemisë #covid19, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha hapat sipas përgjegjësisë dhe kompetencave të cilat i takojnë.
Sipas këtyre masave, Qeveria e Kosovës, ka zhvendosur në kompetencë të komunave të Republikës vlerësimin e situatës në nivel komune, për rihapjen e kopshteve.
Numri i të infekuarve me #covid19 në Kosovë, është duke u rritur jashtëzakonisht shumë ditëve të fundit, e sipas studimeve dhe situatave të krijuara në disa shtete në botë, shpërndarja e virusit po infekton edhe grupmoshat e reja, përkatësisht fëmijët. Kjo ka bërë që Komuna të analizojë me kujdes të shtuar situatën e krijuar.
Komuna e Prishtinës është duke e hartuar një protokol i cili do të konkretizojë deri në detaje menaxhimin e situatës me kopshte, pas rihapjes. Ky protokol do të udhëzojë në veçanti kopshtet, për menaxhimin e kopshteve dhe masat që do të ndërmirren në rast të infeksioneve eventuale.
Pasi që të finalizohet protokoli dhe pasi që të bëhet vlerësimi i situatës, nga personeli profesional, do të caktohet data e hapjes së kopshteve në Komunën e Prishtinës pasi që prioritet për ne është shëndeti i fëmijëve dhe personelit të kopshteve.
Ju falemnderit për mirëkuptimin dhe shëndet për të gjithë!