Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prindërit i ndalin fëmijët nga shkolla në Istog, dyshojnë se dyshemeja u lye me vaj kancerogjen

Selver Imeraj që nga shtatori i vitit të kaluar ua ka ndërprerë mësimin në shkollën fillore "Fan Noli" në Llukafc të Begut, dy fëmijëve të tij.

Hapin për t'i tërhequr nga kjo shkollë fëmijët dhe për t’i regjistruar në një shkollë tjetër në Istog, ai e mori për shkak të kushteve jo të mira të shkollës, raporton KTV.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai thotë se dërrasat e vjetra, të cilat janë shtruar shumë vite më parë, për të mos shkaktuar pluhur janë lyer vazhdimisht me një lloj vaji të papërpunuar.

E ky vaj, e shtyu atë, sikurse dhe shumë prindër tjerë, të dyshojnë se mund të jetë kancerogjen dhe se paraqet rrezik për fëmijët.

Përveç kësaj, këto dërrasa edhe janë prishur për çka janë detyruar që t’i sanonin me mundësitë tyre.

Kritika për këtë shkollë, objekti i së cilës është i vjetër më shumë se 50 vjet dhe asnjëherë nuk u investua në të, kanë edhe prindërit e tjerë.

Kryetari i Këshillit të prindërve thotë së përveç kushteve jo të mira, kjo shkollë ballafaqohet edhe me mungesë të kuadrove të kualifikuara.

Sipas tij, nxënësve të klasës së IV që nga klasa e I mësuesi u është ndërruar për tetë herë radhazi.

Drejtoresha e shkollës thotë se tashmë e kanë ndërprerë ngjyrosjen e këtyre dërrasave për shkak të shqetësimeve të ngritura nga prindërit.

Ajo frikësohet se nga gjendja jo e mirë, numri i nxënësve të cilët do të largohen mund të rritet, pasi që vetëm vitin e kaluar 50 nxënës kanë ndërprerë mësimin aty.

Gashaj shton se ka gjashtë vjet që u premtohet ndërtimi i një shkolle të re, ose edhe renovimi në pamundësi të mjeteve për ndërtim, megjithatë asgjë konkrete nuk ka lëvizur në realitet.

Prapa kamerës, KTV-së i është thënë se vitin e kaluar Ministria e Arsimit ka ndarë një pjesë të mjeteve për renovimin e kësaj shkolle, por që i kanë tërhequr më pas.

Ministria e Arsimit nuk i ka kthyer përgjigje Kohavisionit lidhur me këtë çështje.