Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Price: Inkurajojmë Qeverinë e re të Kosovës t'i japë përparësi dialogut me Serbinë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja, që ka për qëllim marrëveshjen e normalizimit mes dy vendeve, e që duhet të përqendrohet te njohja reciproke.

Price ka thënë se inkurajon Qeverinë e re të Kosovës, që t'i jap përparësi dialogut me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, parti kjo që ka fituar bindshëm zgjedhjet e mbajtura të dielën në Kosovë, ka thënë se dialogu nuk do të jetë prioritet i qeverisë së re të Kosovës.

“Së pari, uroj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të suksesshme. Mezi po presim të punojmë me Qeverinë, pasi të formohet, në çështjet prioritare si avancimi i paqes, drejtësisë, dhe prosperitetit në Kosovë dhe rajon. Kur vie te dialogu me Serbinë, SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim marrëveshje normalizimi që duhet të përqendrohet te njohja reciproke. Ne do të inkurajojmë Qeverinë e re, pasi të formohet, të prioritizojë këto negociata”, ka thënë Price në konferencë për media.

Ai po ashtu ka thënë se edhe tentimet e administratës së kaluar të SHBA-së, kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se është një gjë që e përkrahin. Njëjtë ka thënë se edhe administrata e re e SHBA-së po tentojë të arrijë normalizimin e marrëdhënieve.

Më 4 shtator në Washington u nënshkrua marrëveshja e zotimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësim të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.