Pesë anëtarë të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim kanë dhënë dorëheqje, prej tyre dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë. Dorëheqja e ndërkombëtarëve ndërlidhet me kërkesën e Antikorrupsionit për ta deklaruar pasurinë, një praktikë e panjohur për ta deri tash. Ndërsa, vendorët dorëheqjen e tyre e kanë arsyetuar me humbjen e legjitimitetit të Bordit dhe presioneve nga jashtë e nga brenda. Njohës të arsimit vlerësojnë se dorëheqja e tyre do të shkaktojë probleme të shumta në AKA, në veçanti meqë ky institucion është në prag të riaplikimit për pranim në ENQA dhe EQAR
Prishtinë, 4 shkurt - Jofunksional ka mbetur Bordi i Agjencisë së Kosovës për akreditim i njohur si Këshilli Shtetëror i Cilësisë për shkak se pesë anëtarë të tij kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Fillimisht dorëheqje kanë ofruar tre anëtarët ndërkombëtarë, Herbert Amatto, Jeff Butel, dhe Magdalena Ziolo e më pas edhe kryetari i Bordit, Gazmend Luboteni, dhe nënkryetarja Vjollca Krasniqi. Dorëheqja e tre të parëve lidhet me mosdeklarimin e pasurisë në Kundërkorrupsion. Sipas letrës së tyre, kur janë emëruar në KSHC nuk kanë qenë të informuar se duhet ta deklarojnë pasurinë.
KOHA ka siguruar dokumente, ku shihet se Antikorrupsioni vitin e kaluar u kishte kërkuar ta deklarojnë pasurinë, mirëpo ata nuk i ishin përgjigjur kërkesës.
“Asnjëherë më parë Zyra e Ministrit nuk i ka konsideruar tre anëtarët ndërkombëtarë si zyrtarë publikë. Ne nuk jemi informuar për një gjë të tillë me rastin e emërimit tonë, dhe ky nuk ka qenë një nga kushtet e emërimit. Siç duket, kjo gjë është duke u zbatuar në mënyrë retrospektive”, thuhet në letrën e tre anëtarëve ndërkombëtarë.
KOHA ka kërkuar një qëndrim nga ta, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje.
Kundërkorrupsioni, në një përgjigje për KOHËN, ka theksuar se në vitin 2020 ka pranuar njoftim nga MASH-i që në mesin e zyrtarëve të lartë nga KSHC-ja janë tre zyrtarë ndërkombëtarë që janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e rregullt të pasurisë. Sipas AKK-së, në vitin paraprak nuk e kanë poseduar këtë informatë.
“Zyrtarët në fjalë nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë dhe lidhur me këtë rast Agjencia Kundër Korrupsionit ka ndërmarrë veprimet konform kompetencave ligjore të AKK-së”, thuhet në përgjigjen e Kundërkorrupsionit.
Kryetari i Bordit të AKA-së, Gazmend Luboteni, dhe nënkryetarja, Vjollca Krasniqi, në letrën e dorëheqjes kanë theksuar se këtë po e bëjnë për shkak se në mungesë të tre ndërkombëtarëve, KSHC-ja nuk gëzon legjitimitet. Në letër ata kanë përmendur presione të vazhdueshme nga jashtë, por edhe brenda KSHC-së.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme për ngritjen e pavarësisë së AKA-së, asgjë nuk ka ndryshuar për këta tre vjet, edhe përkundër faktit se në retorikë rikthimi i AKA-së në ENQA dhe EQAR është menduar si prioritet qeveritar. Për të arritur këtë qëllim shumë punë duhet bërë, krahas përkushtimit për të garantuar autonominë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KSHC-së”, thuhet në letrën e tyre.
Drejtori i Agjencisë, Naim Gashi, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se mbrëmë ka pranuar një email, ku tre anëtarët ndërkombëtarë të KSHC-së kanë dhënë dorëheqje për shkak se kanë refuzuar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ndërkaq, të enjten, sipas tij, është njoftuar edhe për dorëheqjet e Lubotenit dhe Krasniqit.
“Puna e Agjencisë vijon normalisht, procesi i akreditimit po vazhdon, ndërsa presim që institucionet e reja në bashkëpunim me prezencën ndërkombëtare t'i plotësojnë këto pozita”, thuhet në përgjigjen e tij.
KOHA ka pyetur në MASH përse nuk i kishte njoftuar me kohë tre anëtarët ndërkombëtarë se duhet ta deklarojnë pasurinë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, anëtarët ndërkombëtarë është dashur të informohen që në fillim për obligimin e tyre për deklarim të pasurisë e jo pas dy vjetësh mandat. Këto dorëheqje, sipas tij, i shkaktojnë dëm reputacionit ndërkombëtar të AKA-së dhe kanë ndikim negativ në përpjekjet për kthim në ENQA dhe EQAR.
“Kjo mund të shkaktojë shumë probleme, sepse ka shumë programe studimore të cilat aplikojnë për riakreditim ose akreditim për herë të parë. Po ashtu, një agjenci jofunksionale këto çështje nuk mund t’i adresojë, plus e kemi një situatë kur nuk kemi Kuvend dhe nuk dihet kur do të konstituohet ai Kuvend, dhe a do ta ketë në agjendë në fillim çështjen e Agjencisë, prandaj kjo mund të shkaktojë probleme për vitin e ri shkollor”, ka thënë Pupovci.
Organizata ORCA, përmes një reagimi, ka theksuar se dorëheqjet e anëtarëve të KSHC-së kanë qenë të pritshme, por të panevojshme në këtë kohë. ORCA i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të mos bëjë asnjë hap tutje në drejtim të emërimit të anëtarëve të rinj. Bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim përbëhet nga 9 anëtarë, 6 prej të cilëve vendorë dhe 3 ndërkombëtarë.