Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti kroat do ta vizitojë Kosovën në fund të dhjetorit

Zoran Milanoviq

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë më 23 dhe 24 dhjetor të këtij viti. Vizita e tij do të ndodhë me ftesën e presidentes Vjosa Osmani.

“Gjatë qëndrimit zyrtar në Prishtinë, Milanoviq do të zhvillojë një takim me presidenten Osmani, dhe do të marrë pjesë në takimin e delegacioneve të dy shteteve dhe do të zhvillojë një takim me kryeministrin Albin Kurti”, ka njoftuar Zyra e Presidencës kroate.

Presidenti kroat do të takohet edhe me 141 pjesëtarët e ushtrisë kroate që shërbejnë në Kosovë nën ombrellën e KFOR-it. Ai vizitën te ushtarët do ta bëjë në ditën e dytë të vizitës, ku do të festojë Krishtlindjet bashkë me ta.

Më tej, është planifikuar takimi i Milanoviqit me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari dhe vizita e tij në Janjevë, ku ka banorë me shumicë kroate.