Edhe pse Raporti i Progresit i Komisionit Evropian e cilësoi si shqetësim serioz iniciativën për veting të plotë e të njëhershëm në Kosovë, një zyrtar i Bashkimit Evropian ka shprehur përkrahjen për këtë çështje, sipas Presidencës. Në një njoftim për media, Presidenca e Kosovës ka thënë se drejtori i Shërbimit Evropian i Veprimit të Jashtëm të BE-së, Marko Makovec, ka dhënë mbështetje për realizimin e procesit të vetingut “në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane”.
Të mërkurën, presidentja Vjosa Osmani u shpreh se s’pajtohet me raportin e KE-së për vetingun duke thënë se ai është i domosdoshëm në Kosovë. Osmani po ashtu inkurajoi institucionet që ta vazhdojnë këtë proces. Një ditë pas kritikave, Osmani ka pritur në takim Makovecin nga i cili, sipas komunikatës, ka marrë mbështetje për vetingun.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim drejtorin në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së, z. Marko Makovec. Në takim me z. Makovec, Presidentja Osmani ka theksuar se reformat e thella në sistemin e drejtësisë dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Kosovës. Sundimi i ligjit, sipas Presidentes Osmani mbetet parakusht kryesor për suksesin e Republikës së Kosovës në çdo fushë përfshirë integrimin në BE. Në këtë kontekst, nga zyrtari i lartë i BE-së Makovec, Presidentja Osmani ka marrë mbështetjen për realizimin e procesit të vetingut në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Po ashtu, në takim Osmani ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se BE-ja duhet ta mbajë fjalën për liberalizim vizash.