Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të mërkurën, Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Osmani ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si prioritet shtetëror, thuhet në komunikatën e ZPRK-së.
Ajo ka përmendur hapat e ndërmarrë nga institucionet e Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Szunyog, sipas komunikatës, ka theksuar se raporti i sivjetmë njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.
Osmani ka thënë se Kosova formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, thuhet në komunikatë.