Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, por edhe në qendrat tjera të mjekësisë familjare dhe ambulanca, ditëve të fundit ka rënë në mënyrë drastike numri i pacientëve.
Këtë rënie e ka konfirmuar të premten për Kohën Ditorë, drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.
“Frika nga koronavirusi po e bënë të vetën dhe pacientët nuk po shkojnë në QKMF dhe objektet tjera të shëndetit primar, në të cilat numri i pacientëve ka rënë shumë”, ka thënë Loci, raporton KOHA.
Sipas tij, numri i pakët i pacientëve në këto objekte të shëndetit primar, ka ndikuar edhe në rënien e numrit të infektuar me gripin sezonal.
“Pacientët nuk po shkojnë të mjeku. Po rrinë në shtëpi. Njerëzit nuk po i frekuentojnë qendrat mjekësore për shkak të frikës që e kanë nga koronavirusi. Nuk ka ndodh në histori të QKMF-së e as në kohën më parë kur ka funksionuar ky objekt si dispanseri, që ka pas kaq pak në numër të pacientëve. Sidomos numri i pacientëve fëmijë në pediatri ka qenë jashtëzakonisht i ulët”, thotë Loci.
E frika nga koronavirusi, siç thotë Loci, ka vetëdijesuar në një far forme qytetarët që të mos shkojnë edhe pa nevojë në ambulanca, sikur që e kanë pas zakon të shkojnë.
“Kjo është edhe me mirë që nuk po shkojnë. Është një lloj vetëdijesimi i popullatës, edhe pse e kanë nga frika prej koronavirusit. Më mirë është në shtëpi të qëndrojnë e më sigurt”, thotë Loci.
Numri i pacientëve sikur në qendrat e mjekësisë familjare nuk ka rënë edhe në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, por as nuk është rritur. Zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, tregon se numri i pacientëve është i njëjtë sikur ditët e mëparshme, por edhe në spital, siç thotë ai, ka rënë në masë të madhe numri i vizitoreve, të cilët edhe kanë bërë zakonisht tollovinë në spital.
Kjo rënie ditëve të fundit gjithashtu ka të bëjë me frikën e qytetarëve nga koronavirusi.