Kriza në vendimmarrje në Kuvend është demonstruar të mërkurën.
Asnjëri kamp politik nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të shtyrë përpara iniciativat rreth dialogut me Serbinë - pushteti nuk e ka vënë fare në votim propozimin e Qeverisë për delegacionin negociator, e opozita ka dështuar ta sigurojë kuorumin për rezolutën që synon t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi t’i negociojë me Serbinë kufijtë e Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Kjo bllokadë ka ndodhur vetëm dy ditë para se të realizohet në Bruksel takimi i tretë i fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi, në të cilin presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do ta shtrojë si propozim “korrigjimin e kufijve”.
Për në orët e pasdites ishte ftuar vazhdimi i seancës së thirrur nga Qeveria, që ka nisur një ditë më parë. Por nuk është zhvilluar. Kjo, për shkak se opozita e ka bojkotuar, ndërkaq deputetët serbë kanë vendosur ta dëgjojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili i ka urdhëruar të mos votojnë pro delegacionit negociator, në krye të të cilit Qeveria e ka propozuar Fatmir Limajn, meqë ai pranon të negociojë vetëm me Thaçin. Pas kësaj situate, me kërkesë të Qeverisë, seanca është shtyrë për një ditë tjetër... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)