Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia zbulon lokale ku zhvilloheshin lojëra të fatit, sekuestrohen pajime e arrestohen të dyshuar

Policia e Kosovës në raportin e sotshëm njofton për tri raste skemash piramidale të bixhozit në Prishtinë, në të ciklat ka sekuestruar materiale e ka arrestuar të dyshuar, transmeton Koha.net.

Në Prishtinë më 5 nëntor, thuhet në raport, gjatë kontrollit në një lokal janë hasur dy të dyshuar meshkuj, K/Shqiptar, duke zhvilluar lojëra të fatit me ç’rast janë konfiskuar tre televizorë, një ftohëse për Lap-top, dy skanerë, dy monitorë, një -shtëpizë kompjuterike, një printer, një lap-top, dhe 1430 euro të gatshme.

Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar, saktëson raporti.

Po në Prishtinë, por më 6 nëntor, raportohet se është arrestuar i dyshuari mashkull, K/Shqiptar, pasi që gjatë kontrollit në lokal ku ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit, janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale : katër shtëpiza të kompjuterit, një chip dhe një telefon mobil. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar, thuhet në raport.

Po dje, më 6 nëntor, në Prishtinë janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, K/shqiptarë, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tyre, ku ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit, janë gjetur dhe sekuestruar dy telefona mobilë me të cilët kanë bërë pagesa të ndryshme për lojëra të fatit. Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar, thuhet në raportin e sotshëm të Policisë së Kosovës.

Edhe në Prizren raportohet se është arrestuar një i dyshuari, mashkull K/Shqiptar, pasi ai është hasur në lokalin tij duke zhvilluar lojëra të fatit në mënyrë të kundërligjshme. Si prova materiale janë konfiskuar: një shtëpizë kompjuteri dhe dhjetë tiketa të lojërave. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar.