Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se viti i kaluar ka qenë vit i suksesshëm në preventiven e veprave penale si dhe në sigurinë e qytetarëve. Sipas tij Policia ka arritur që të zvogëlojë trendin e krimit si dhe të merret me hetime komplekse.
“Gjatë këtij viti jemi marr edhe me vetëveten sepse fatkeqësisht kemi pas individë brenda Policisë që janë marr me veprimtari të ndaluara. Është ngritur bashkëpunimi me Prokurorinë e shtetit dhe jemi në fazën e testimit të integrimit të databazave tona. Këtë synojmë që këtë vit ta bëjmë edhe me Këshillin e Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Operacione, Sabedin Mehemeti, ka theksuar se gjatë vitit të kaluar janë marrë edhe më shumë lëndë të trajtimit të pjesëtarëve të policisë se Kosovës. Ndër shume raste të trajtuara ai ka thënë se 26 pjesëtarë të policisë janë larguar nga puna si pasojë e shkeljeve të rënda që kanë bërë, raporton Koha Ditore.
Drejtori i departamentit për operacione Afrim Ahmeti, ka folur për numrin e rasteve te evidentuara nga Policia gjatë vitit 2019. Ai ka treguar statistikat e rasteve me vepra penale dhe të kundërvajtjeve. Ahmeti ka thënë se më shumë se 13 mijë persona janë arrestuar gjatë vitit të kaluar.
Drejtori i Departamentit të Kufirit, Shaban Guda, ka folur për statistikat e kalimit të kufirit ku ka thënë se me shumë se 2 mijë persona janë arrestuar në kufi. Një dukuri që sipas tij ka qenë e shprehur në vitin e kaluar është kalimi ilegal i kufirit i më shumë se 2 mijë personave me prejardhje nga shtetet e treta.
Edhe
Policia e Kosovës njofton se ka rënie të numrit të veprave penale këtë vit
Drejtori i departamentit të Hetimeve Riza Shillova, ka deklaruar se në përgjithësi trendi i krimit ka rënë në përgjithësi, por se ka rritje të aktiviteteve që kanë të bëjnë me krimin kibernetik dhe krimin ekonomik. Shillova ka thënë se trafikimi me narkotikë mbetet një nga shqetësimet më të mëdha në fushën e kriminalitetit të rendë.
Në këtë konferencë kanë folur edhe Drejtoresha e departamentit për burime njerëzore, Taibe Canolli-Brajshori dhe drejtori i departamenti të shërbimeve mbështetëse Hamdi Hyseni.