Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia shton kontrollet rrugore për shkak të aksidenteve në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka shtuar kontrollet rrugore pas vlerësimeve të fundit analitike që i janë bërë situatës së sigurisë në trafik, pasi janë ngritur shqetësimet lidhur me numrin aktual të aksidenteve.

PK-ja ka njoftuar se nga 2 prilli do të fillojnë kontrollet më të shpeshta rrugore me qëllim të uljes së aksidenteve dhe pasojave që shoqërojnë ato, transmeton Koha.net.

“Me gjithë faktin se Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, në vazhdimësi është angazhuar maksimalisht në kontrollin për zbatimin e rregullave të trafikut nga të gjithë shfrytëzuesit e rrugës si dhe ka shtuar masat dhe kontrollet e saj duke synuar uljen e numrit të aksidenteve, përsëri është konstatuar se krahas kontrolleve të strukturave të policisë është e nevojshme të punohet më shumë edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Në kuadër të intensifikimit të punës preventive për forcimin e rregullit si dhe disiplinimin e shfrytëzuesve të rrugës, NJRKRR në, që nga data 02/04/2018, do të fillojë me implementimin e planit operativ Kontrolli i shtuar i komunikacionit – ku kontrollet kryesore do te fokusohen në:Përdorimi i telefonit gjatë vozitjes,Rripi i sigurisë dhe ulëset për fëmijë’”, thuhet në njoftim.

Ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdojë deri sa të vlerësohet që ka arritur efektin e dëshiruar.