Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia njofton për kolonat e gjata në Jarinjë dhe Bërnjak

Kolona dhe pritje të shumta janë krijuar në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, mirëpo situata është e qetë dhe stabile, ka njoftuar të dielën Policia.

Si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, qytetarët janë organizuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të votuar, duke shkaktuar pritje në dalje nga Kosova në Serbi në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me anë të disa pamjeve të shkrepura nga këto dy pika kufitare, PK-ja ka njoftuar se ka paraparë masat dhe veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.