Zëdhënësi i Drejtorisë rajonale të Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli, ka njoftuar se Policia në këtë rajon gjatë një aksioni nga 22 deri 28 gusht ka shqiptuar 1578 gjoba trafiku, ndërsa ka hequr 23 patentëshoferë.
“Ky aksion ishte për të parandaluar aksidentet. Policia po bën përpjekje të vazhdueshme që të mos kemi aksidente të rënda. Fal angazhimit gjendja është e mirë, nuk ka pasur aksidente me fatalitet, që është synim i yni. Gjatë javës së kaluar, kanë ndodhur 35 aksidente, prej tyre 20 me dëme materiale, e 15 me lëndime”, ka treguar Veseli për emisionin “Sot” Në KTV.
Ai ka thënë se më së tepërmi shkelje në komunikacion që shkaktojnë shoferët janë mosrespektimi i shpejtësisë apo edhe tejkalimi në vijë të plotë.
“Për mosrespektim të shpejtësisë gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 511 gjoba, për tejkalim në vijë të plotë 10 gjoba, një kundërvajtje që edhe pezullon patentëshoferin për tre muaj. Për tejkalim nën ndikim të alkoolit dy gjoba. Drejtim i automjetit pa patentëshoferë 20 gjoba, kalim i afatit të regjistrimit të automjeteve 4 gjoba”, tha Veseli, që ka treguar se në terren janë aktivizuar edhe policë me automjete civile.
Veseli ka thënë se aksidenti në Koshare të Ferizajt në qershor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 5 persona, ka bërë që të rriten edhe më tepër aktivitetet e Policisë.
Edhe
Për një javë u shqiptuan mbi 1750 gjoba në rajonin e Ferizajt, u pezulluan 28 patentë shoferë
“Kemi pasur projekte të ndryshme e aksione. Kemi kërkuar edhe nga qytetarët që të jenë bashkëpunues dhe dua të falënderojë ata, pasi kanë qenë bashkëpunues e na kanë dërguar informata. Rajoni i Ferizajt është bërë atraksion edhe për vendet përreth si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Presheva e Bujanoci”, tha Veseli.
Ai ka treguar se në muajin qershor të këtij viti janë shqiptuar 6161 gjoba, për dallim nga 4441 gjoba sa ishin shqiptuar në qershor të vitit 2021, ndërkohë janë hequr 120 patentëshoferë.
Ndërkohë në korrik janë shqiptuar 6478 gjoba për dallim nga muaji i njëjtë i vitit të kaluar që u shqiptuan 5590 gjoba. Në gusht u shqiptuan 5839 gjoba trafiku, për dallim nga gushti 2021 që u shqiptuan 5165.
Veseli ka folur edhe për aksionet e Policisë së rajonit të Ferizajt për siguri në shkolla.
Edhe
Mbi 1,900 gjoba trafiku të shqiptuara për gjashtë ditë në rajonin e Ferizajt, 22 patentë-shoferë të pezulluar
Ai ka treguar se në aksione gjatë vitit shkollor të kaluar ka pasur raste kur janë kapur nxënës me thika e boksa hekuri. Veseli ka thënë se Policia do të jetë prezentë nëpër shkolla.
“Policia do të jetë prezente, si me policë me uniforma, por ashtu edhe me rroba civile. Do të monitorohet situata vazhdimisht”, tha Veseli.