Policia e Kosovës ka thënë se ka rënie të rasteve të dhunës në familje në vitin e fundit. Policia ka thënë se në vitin e fundit janë regjistruar 2460 raste të dhunës në familje, apo 10.77 për qind më pak se vitin paraprak.
Por, ka thënë se rastet e fillim vitit kanë nisur të mbeten shqetësuese.
Brenda pesë ditëve në Kosovë u vranë dy gra, ndërsa të dyshuarit janë bashkëshortët e tyre.
Policia për vrasjen në Ferizaj më 12 prill dhe atë të sotit në Pejë, ka thënë se ka ndërmarrë gjitha veprimet konkrete.
“Çdo herë kur flitet e raportohet për dhunën në familje, natyrisht se shfaqen parasysh shumë sfida, me të cilat përballen sot mjaft familje, jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë, pasi dhuna në familje shkatërron jetët e njerëzve, sikurse ndodhen edhe dy rastet e fundit ai i vrasjes së rëndë në Ferizaj më datën 12.04.2024 dhe rasti i ndodhur sot 16.04.2024 në Pejë. Në të dy rastet Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete duke arrestuar personat e dyshuar dhe të njëjtit i ka dërguar para organeve kompetente të drejtësisë. Veprimet ligjore të cilat bien në kompetencë të Policisë së Kosovës janë ndërmarrë çdoherë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin dhe koordinim me institucionet relevante siç janë, qendrat për pune sociale, mbrojtësit e viktimave dhe organet e drejtësisë. Në të gjitha rastet janë arrestuar personat e dyshuar dhe rastet janë trajtuar sipas udhëzimeve të organeve të drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe me arrestimin e dy personave të dyshuar të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjet në Ferizaj dhe Pejë”, ka njoftuar Policia.