Arbëri

Policia habitet pse arsimtarët s’po e informojnë kur vërejnë nxënësit me substanca narkotike

Bajram Nuhiu, shef i sektorit për bashkëpunim dhe parandalim në drejtorinë e antidrogës në Policinë e Kosovës, ka treguar në Puls të KTV-së se në vitin 2016 kanë regjistruar në shkolla fillore dhe të mesme 24 raste të përdorimit të substancave narkotike.

Prej tyre 7 raste kanë qenë brenda objektit të shkollës ndërsa 17 raste jashtë objektit të shkollës. Policia për këtë ka 33 persona të dyshuar, prej tyre 7 nxënës me substanca narkotike.

“Në 6 mujorin e parë të vitit 2017 kemi pas 18 raste, pra më tepër se vitin e kaluar, 5 raste brenda objektit të shkollë, 13 raste jashtë objektit të shkollës me 20 të arrestuar, ndërsa prej tyre 8 kanë qenë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme”, ka thënë ai.

“Ne shpesh kemi dëgjuar nga prindërit kur mësuesja apo arsimtarët u tregojnë atyre se disa nxënës po konsumojnë substanca narkotike në oborrin e shkollës dhe është e çuditshme pse nuk i informojnë policinë, sepse kjo pastaj vetëm zgjerohet”, thotë Nuhiu.

 

Ndërsa, Safet Blakaj nga OJQ “Labirinti” ka thënë se kur flitet për moshën e përdoruesve, diku 84 % e atyre që kërkojnë trajtim tek kjo organizatë janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

“Mesatarja e fillimit të përdorimit të marihuanës në Kosovë është nga mosha 16 vjeçare dhe ky është alarm”, ka thënë ai.