Arbëri

Policia e Kosovës këtë verë në rrugët e Shqipërisë

Patrullimet e përbashkëta të Policisë Rrugore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në territorin e Republikës së Shqipërisë po realizohen edhe gjatë këtij sezoni veror.

Bazuar në memorandumin e bashkëpunimit të firmosur nga autoritetet policore të të dyja vendeve, të enjten turni i parë i zyrtarëve të Policisë së Kosovës ka nisur patrullimin e përbashkët me kolegët shqiptarë.

Në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë drejtuesit e policive rrugore të të dyja vendeve kanë bërë të ditur se 4 zyrtarët e Policisë së Kosovës me 2 vetura patrulluese do të shërbejnë nga Vërmica në Velipojë.

“Qëllimi i këtij takimi është për të konkretizuar mbarëvajtjen e sezonit turistik në territorin e Shqipërisë. Kjo bëhet me qëllimin që turistët shqiptarë të të dyja krahëve të kalojnë një sezon turistik sa më të qetë”, ka thënë Edmond Tarkaj, drejtor i Policisë Rrugore në Shqipëri.

"Ne kemi caktuar 4 zyrtarë policorë me 2 automjete patrulluese, të cilët do të patrullojnë në rrugët e territorit të Shqipërisë me të vetmin qëllim që bashkërisht të patrullojmë, bashkërisht të mbajmë pika kontrolli, bashkërisht të punojmë në aktivitete parandaluese, me të vetmin qëllim që të ofrojmë siguri dhe në të njëjtën kohë të ndihmojmë qytetarët e 2 shteteve, dhe gjithë pjesëmarrësit tjerë në trafik që mund të jenë në pushime në Shqipëri", është shprehur Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës.

Polica nga të gjithë pjesëmarrësit e trafikut kanë kërkuar respektimin e rregullave të komunikacionit.

Patrullimet e përbashkëta të Policisë Rrugore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë filluar 12 vjet më parë, ndërkohë që vitin e shkuar ishte ndërprerë shkaku i pandemisë.