Arbëri

Podujeva synon t’i ridizajnojë linjat e transportit urban dhe periferik

Podujeva - transporti urban

Komunarët e Podujevës po synojnë që t’i ridizajnojnë linjat e transportit urban, perferik dhe vendndaljet e automjeteve për bartjen e udhëtarëve.

Për këtë wshtw miratuar një vendim për caktimin e rrjetit të linjave urbane, urbano-periferike dhe orarin e qarkullimit.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se në këtë dokument që, pas miratimit në Kuvend është kërkuar nga MAPL-ja të vihet në diskutim publik, ka disa ndryshime në orare të qarkullimit dhe në disa linja periferike me dokumentin e vjetër.

“Ky dokument i përfshin të gjitha linjat, ku ka pasë kërkesa nga qytetarët. Gjatë debatit publik kemi marrë sugjerime e rekomandime të ndryshme lidhur me orarin e nisjeve dhe stacionet për marrje dhe zbritje të udhëtarëve. Rregullorja ende është në dëgjim publik deri më 5 nëntor dhe mund të pësojë ende ndryshime”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Në draft-rregulloren e re janë paraparë 22 linja që përfshijnë qytetin, lagje e fshatra të Komunës. Në pikën I thuhet se me anë të këtij vendimi caktohet rrjeti i linjave urbane, urbano-periferike, vendbanimeve rurale, pikat e stacioneve, vendndaljet dhe oraret e nisjeve të operatorëve në trafikun e territorit të Komunës së Podujevës.

“Në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtij vendimi zbatohen masat ndëshkuese sipas Rregullores për transportin rrugor në territorin e Komunës së Podujevës. Zbatimin e vendimit e bëjnë Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Drejtoria e Inspeksionit-inspektori i komunikacionit dhe Policia e Kosovës”, thuhet në këtë vendim.