Komunarët e Podujevës i kanë dëmtuar financiarisht qytetarët duke i tatimuar jashtëligjshëm më shumë se që është paraparë me Rregulloren e tatimit në pronë.
Ata e kanë shkelur këtë rregullore duke mos i përditësuar të dhënat për zonat që kishin ndryshuar e as për pronat që ishin privatizuar. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor ka gjetur se Komuna e Podujevës nuk e ka zbatuar Rregulloren e vet.
“Sipas Rregullores për Tatimin në Pronën e Paluajtshme për vitin 2018, në Komunë është përcaktuar baza tatimore për katër zonat e ndara në Komunë. Tri nga shtatë mostrat e testuara, për përllogaritjen e tatimit, ishte marrë për bazë zona e tretë, ndërsa me Rregullore i takonin zonës së katërt tatimore. Më pas kemi vërtetuar se kjo rregullore nuk ishte zbatuar fare duke bërë kështu që qytetarët të dëmtohen financiarisht, ngase disa nga zonat kishin ndryshuar dhe tatimpaguesit do të duhej të paguanin tatim më pak në to”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Podujevës.
Kjo, sipas Auditorit, ka ndodhur si rezultat i mosbashkëpunimit të Komunës me Departamentin e Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)