Komunarët e Podujevës dhe ata të Fushë-Kosovës nuk kanë arritur t’i bindin borxhlinjtë që t’i paguajnë tatimet, qiratë e taksat tjera që i kanë ndaj administratës komunale.
Këto dy komuna nuk kanë arritur t’i inksasojnë më shumë se 12 milionë euro që janë grumbulluar ndër vite.
Këtë çështje e ka ngritur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në raportet e saja për vitin 2020.
Sipas ZKA-së pasqyra e llogarive të arkëtueshme në fund të vitit 2020 për Komunën e Podujevës ishte 8,033,611€.
“Kjo vlerë përbëhet nga tatimi në pronë 3,219,625€, taksa në firmë 3,866,421€, qiraja komunale 931,929€ shfrytëzimi i hapësirave publike 12,700€, dhe tjera 2,936€. Llogaritë e arkëtueshme nga viti paraprak ishin rritur për 267,507€”, thuhet në raport.
Sipas nenin 26 të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme 06-L 005, Komuna, Ministria e Financave dhe organet kompetente përmbaruese kanë autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrueshëm. Ndërsa, sipas nenit 22.2 të Rregullores për taksa tarifa dhe gjoba komunale, përcaktohet që të iniciohet procedura e ekzekutimit të dhunshëm në gjykatën kompetente dhe përmbarim privat mbledhja e llogarive të arkëtueshme.
“Në kontratat e lidhura në mes të komunës dhe qiramarrësve janë paraparë masat që duhet të ndërmarrën në rast të mospagesës së qirasë, sipas kritereve të përcaktuara në kontratë. Gjatë testimit të Llogarive të arkëtueshme (LlA) Komuna nuk kishte ndërmarrë veprime të mjaftueshme për arkëtimin e tyre”, theksohet në raportin e Auditorit. “Ne identifikuam se: Për të arkëtushmet e tatimit në pronë në vlerë 3,219,625€ komuna nuk kishte ndërmarrë ndonjë aktivitet siç parashihet me Ligjin për tatimin në pronë; Për të arkëtueshmet që i përkasin pronave të lëshuara me qira janë 931,929€, komuna kishte ndërmarrë disa veprime duke i dërguar lëndët në përmbarim, mirëpo jo në proporcion me obligimet; dhe Për të arkëtueshmet nga taksat në biznes kishin arritur vlerën 3,856,421€. Komuna nuk kishte ndërmarrë veprime të cilat parashikohen me rregullore”.
Auditori tërheq vërejtjen se mosarkëtimi i të arkëtueshmeve ndikon që ato të bëhen të pambledhshme duke krijuar një rast precedent për borxhlinjtë e tjerë të cilët mund të ndjehen të trajtuar në mënyrë jo të barabartë dhe gjithashtu rezulton fonde më pak për financimin e projekteve.
Edhe Komuna e Fushë-Kosovës në pasqyrat vjetore financiare në vitin 2020 ka shpalosur llogari të arketueshme në vlerë prej 4,263,568€. Kjo vlerë, sipas Auditorit, përbëhet nga tatimi në pronë, leje ndërtimi, taksa për ushtrimin e veprimtarisë, qiraja nga objektet dhe të hyra nga shitja e pasurisë.
“Vlera më e lartë e llogarive të arkëtueshme është e tatimit në pronë, ku në fund të vitit 2020 ishte 3,133,013€ me një rritje prej 544,977€ apo 21% në raport me vitin e kaluar. Pjesa më e madhe e tyre janë të arkëtueshme të vjetra nga vitet paraprake, borxhe që rriten nga viti në vit nga kamata dhe dënimi i mospagesës së tyre. Po ashtu, borxhet nga taksat për ushtrimin e veprimtarisë së bizneseve janë mjaft të larta dhe të përcjellura që nga viti 2017 në vlerë 782,408€”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Siç thuhet tutje në raport, nga auditimi i pesë mostrave në vlerë 132,303€ nga kjo kategori, është vërejtur se nuk ka pagesa ndër vite nga këto biznese, e po ashtu nuk ka as ngarkesa në vitet e fundit për shkak të vendimeve të Kuvendit Komunal për lirimin e tyre.
“Si të tilla këto borxhe nuk pritet të arkëtohen, pasi që kanë kaluar mbi 4 vite nga pezullimi i taksave për ushtrimin e veprimtarive të bizneseve. Kjo ka ndodhur për shkak të situatës së renduar nga pandemia Covid-19 dhe komuna nuk ka mundur të marrë asnjë veprim shtesë gjatë vitit 2020”.
Sipas ZKA-së, mungesa e veprimeve konkrete shtesë për arkëtimin e borxheve rezulton me rritje të këtyre llogarive, rrezikon që komuna të ketë humbje financiare si dhe mosrealizimin e projekteve të komunës të financuara nga të hyrat vetjake.
KOHA ka kërkuar nga zyrtarët e të dyja komunave përgjigje nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim gjatë këtij viti që t’i arkëtojnë këto mjete, por gjatë ditës të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, ZKA-ja e ka vlerësuar si të zbatuar rekomandim për të arkëtueshmet në Komunën e Obiliqit dhe Graçanicës, të cilët më herët kishin pasur borxhe milionëshe të paarkëtuara. Megjithatë, Auditori ka gjetur se gjatë vitit 2020 ka pasur mospagesë të taksës për ushtrimin e veprimtarisënë Komunën e Obiliqit.
“Në bazë të nenit 8 të Ligjit nr. 03/L-49 për Financat e Pushtetit Lokal dhe neni 7 (pika 2) – ‘Gjobat për veprimtari afariste’, i Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale me nr. I-94 (i datës 29.06.2018), përcakton se: ‘Ndaj subjektit afarist i cili nuk bënë pagesën e taksës komunale për ushtrimin e veprimtarisë afariste të caktuar për vitin fiskal sipas afateve, do të iniciohet procedura gjyqësore në Gjykatën kompetente për ekzekutim të dhunshëm”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Sipas të njëjtit, gjatë testimit të tetë rasteve, mospagesa e taksës për ushtrimin e veprimtarisë nga ana e bizneseve ka shkaktuar borxhe të pambledhura në vlerë prej 17,040€ (borxhe të akumuluara nëpër vite).
“Komuna për vitin 2020 ka pranuar vetëm 1,200€ të hyra apo 8% në raport me borxhin e sipër cekur, sepse nuk kishte ndërmarrë masa apo ndonjë procedurë gjyqësore (përveç ‘Vërejtjes së fundit’ që kishte aplikuar vitin e kaluar) për ekzekutim të dhunshëm të borxheve (komform legjislacionit). Kjo situatë ka ndodh për shkak të vështirësive financiare të këtyre bizneseve dhe mbledhja e të hyrave për këtë kategori tregon realizim të dobët”, thuhet në raport.