Shkolla e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Komunën e Podujevës do të bëhet me Qendër të Karrierës. Për t’i hapur rrugës kësaj iniciative, të enjten është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesit të projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE).
Bulliqi është shprehur i lumtur që një projekt i tillë po realizohet në Podujevë bazuar në rëndësinë që ka, sipas tij, orientimi në karrierë për nxënësit e shkollave profesionale.
“Kjo qendër do të vendoset në Institucionin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional ‘Fan. S. Noli’ në Podujevë, ndërsa qëllimi bazë i themelimit të saj është rritja e cilësisë në këtë institucion dhe ofrimi i mundësive për krijimin e kuadrove të nevojshëm për tregun e punës”, ka thënë nëpërmjet një njoftimi, Shpejtim Bulliqi.
Sipas njoftimit, bazuar në obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje, Komuna e Podujevës përmes Drejtorisë së Arsimit do të caktojë dy mësimdhënës me normë të plotë.
“Shkolla ‘Fan S. Noli’ do të sigurojë hapësirat ndërsa komuna në bashkëpunim me partnerin financues EYE do të bashkë-investojnë në krijimin e kushteve bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve të parapara në kuadër të kësaj qendre, përfshirë edhe pajisjet e teknologjisë dhe inventarin e nevojshëm”, thuhet tutje në njoftimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun. “Pas nënshkrimit të marrëveshjes të gjithë partnerët, përfshirë edhe përfaqësuesin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) u shprehën të gatshëm për bashkëpunim në realizimin e suksesshëm të obligimeve që burojnë nga marrëveshja e nënshkruar”.