I ftohti në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ku nuk ka ngrohje, ka shkaktuar ndërprerje e shtyrje të seancave gjatë kësaj jave. E këso ndërprerjesh mund të ketë edhe në javët në vazhdim, pasi punimet për funksionalizim të ngrohjes në Pallat pritet të përfundojnë nga gjysma e pranverës
Temperaturat e ulëta në Pallatin e Drejtësisë kanë bërë që të shtyhen e të zvarriten proceset gjyqësore.
Kryetarja e trupit gjykues në rastin e 53 milionë eurove në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Violeta Namani, vendosi ta shtyjë seancën e së enjtes, pasi tha se dëshmitari Ramë Qupeva nuk mund të dëshmonte në të ftohtin që mbretëron brenda Pallatit.
“Dëshmitari po nerth… Gjatë deklarimit në disa raste tha jam ka narth me mimika, kështu që sa i përket seancës së sotme, nuk mund të vazhdoj sot për shkak të temperaturave të ulëta në sallë, kështu që shkojmë me organizimin e seancave të tjera”, ka thënë ajo.
I ftohti, sipas avokatit Mehdi Geci, ua bën të gjithëve të vështirë të përqendrohen në procesin e gjykimit. Sipas tij, me tejzgjatje të gjykimeve po shkelen edhe të drejtat e palëve.
“Për shkak të të ftohtit nuk mund të ketë as koncentrim të mjaftueshëm. Pengesë tjetër e madhe gjithashtu është që shtyhen edhe seancat për shkak të mungesës së ngrohjes brenda objektit gjyqësor… Është shumë e qartë edhe me konventa e standardet ndërkombëtare thonë që duhet të ketë proces brenda një afati të arsyeshëm dhe të shkurtër kohor që duhet të zgjidhen problemet gjyqësore”, ka deklaruar avokati Geci.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi kanë treguar se ndërprerje e reduktim në planifikim të seancave ka pasur edhe më herët.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Lavdim Makshana, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk është treguar serioze.
“Shumë prej rasteve të mëdha të korrupsionit, të krimit të organizuar, të shpëlarjes së parasë dhe lëndë të tjera të cilat janë në kompetencë të departamenteve apo gjykatave që gjenden në Pallatin e Drejtësisë, janë të përfshira apo të vendosura në atë pallat dhe neglizhenca ose mosmarrja e veprimeve në këtë drejtim për t’i kaluar këto probleme nga ana e organeve kompetente normalisht që tregon joseriozitet edhe të kësaj qeverie, por edhe të qeverive të kaluara”, ka thënë Makshana.
Më 2 janar të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për tenderin për rifunksionalizimin e ngrohjes në Pallat me vlerë mbi 115.000 eurosh.
Ngrohja në këtë ndërtesë ka vite që nuk funksionon.
Në ministri nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me rregullimin e sistemit të ngrohjes. Por pronari i njërës prej dy kompanive fituese të tenderit, Gëzim Zeka, ka thënë se afati i dakorduar me Ministrinë për përfundim të punimeve është fundi i prillit, që i bie gjysma e pranverës.