Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Plot 76 policë janë ende me COVID-19

Të enjten mbrëma ka vdekur polici Ilir Gjokaj, që ishte me COVID-19. Kështu në Kosovë është regjistruar viktima e parë nga koronavirusi në mesin e policisë.

Të premten Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se 76 zyrtarë policorë aktualisht janë me COVID-19. Prej fillimit të pandemisë 154 policë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. 77 prej tyre janë shëruar.

“Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, 154 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Prej tyre janë shëruar 77 zyrtarë policorë, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtarë policorë. Ndërsa fatkeqësisht zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Zyrtari policor i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin Policor në Gjakovë, nga 7 korriku është lajmëruar në pushim mjekësor për shkak të problemeve me bosht kurrizor. Kurse nga data 11 korrik është hospitalizuar në repartin pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje. Pas testeve të kryera, me datë 14 korrik kishte rezultuar pozitiv në COVID-19. Ndërsa më 15 korrik është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë”.

Policia i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, ndërsa ka thënë se është përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor.