Prishtinë, 20 shkurt - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së) z. Rashit Qalaj, i shoqëruar nga z. Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime, z. Afrim Ahmeti, drejtor i Departamentit për Operativë, dhe z. Driton Vrajolli, ndërlidhës policor, gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e Policisë Evropiane, i cili po mbahet në Berlin, ka realizuar takime me presidentin e BKA-së, Policisë Federale të Hetimeve të Gjermanisë dhe me presidentin e Universitetit të Shkencave Aplikative të Brandenburgut.
Në takimin e realizuar në mes të shefit të PK-së dhe BKA-së, sipas njoftimit për media, diskutuan çështjet e bashkëpunimit reciprok si dhe nevojën për avancim të bashkëpunimit të gjithanshëm edhe në të ardhmen.
Dy shefat theksuan se tanimë ekziston një bashkëpunim i mirë mes dy policive në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit, me theks të veçantë terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kibernetik, trafikimit me narkotikë dhe format tjera të krimeve të rënda, por shprehën nevojën e vazhdimit dhe ngritjes së bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen.
Drejtori z. Qalaj falënderoi presidentin e BKA-së për mbështetjen e vazhdueshme Policisë së Kosovës, për ndërtimin e kapaciteteve të saj, ku BKA-ja deri tani përpos ofrimit të trajnimeve të specializuara për PK-në, ka mundësuar trajnimin e disa zyrtarëve udhëheqës të PK-së në Akademinë e BKA-së.
z. Qalaj tha se presim mbështetjen e mëtejshme të BKA-së në fusha të specializuara si: IT- forenzikë, hetime speciale apo edhe në aplikimin e teknikave të veçanta të hetimit etj.
PK-ja është e gatshme që në të ardhmen të avancojë bashkëpunimin me BKA-në, sidomos në aspektin praktik të shkëmbimit të informacioneve, hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve policore të përbashkëta.
Drejtori i PK-së me anëtarët e tjerë të delegacionit gjithashtu kanë pasur një takim edhe me presidentin Universitetit të Shkencave Aplikative të Brandenburgut z. Rainer Grieger.
Në këtë takim janë diskutuar gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen edhe me këtë institucion në fushën e trajnimeve dhe arsimimit.
Pjesëmarrja në këtë kongres e drejtorit të përgjithshëm dhe e stafit të lartë të PK-së, përveç tjerash do të shfrytëzohet edhe për rritje të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me policitë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.