Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të martën se janë pezulluar gjashtë zyrtarë të kësaj Ministrie pas hetimeve se shfrytëzuan parkingun e institucionit për të dhënë vetura me qira.
Sveçla ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që keqpërdoruesit të ballafaqohen me drejtësinë.
"Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njejti bashkë me 5 zyrtarë të të njejtit departament sot janë pezulluar nga detyra. Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë", ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla më 16 prill kishte njoftuar se ka kërkuar hetim ndaj zyrtarit Alshiqi, për shfrytëzimin e parkingut të pronës së këtij institucioni për vetura me qira.
“Betimi për Drejtësi” më 15 prill, publikoi hulumtimin “Biznes me 'Rent a car' në parking të ministrisë”, ku zbuloi se si Riza Alshiqi, zyrtar i lartë për monitorimin e transportit, krahas punës në ministri, si punë sekondare bën biznesin me dhënie të veturave me qira. Për këtë, ai e ka shfrytëzuar pronën e shtetit.
-
Sveçla kërkon hetim për zyrtarin e MPB-së që shfrytëzon parkingun e ministrisë për biznes
-
Arrestimet në MPB për keqpërdorime, reagon ministri Sveçla
-
Ngrihet kallëzim penal ndaj zyrtarit të MPB-së që shfrytëzoi parkingun e Ministrisë për biznes
-
Zyrtari i MPB-së shfrytëzon parkingun e Ministrisë për “rent a car”
-
Arrestohen dy zyrtarë të MPB-së, kundërligjshëm lëshonin lejeqëndrimi për shtetas të huaj