Një grup i banorëve të Komunës së Kamenicës kanë ndërmarrë një iniciativë për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Ata synojnë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme nga banorët të cilët kundërshtojnë reformën në arsim.
Reforma në arsim parasheh që Kamenica të funksionojë me vetëm 8 shkolla fillore dhe organet komunale kanë dhënë arsyetimet e tyre për këtë reformë, meqë ata nuk duan funksionimin e shkollave me pak nxënës, ngase numri i nxënësve në këtë komunë ka shënuar rënie drastike për shumë faktorë, shkruan sot Koha Ditore.
Procedura për shkarkimin e kryetarit të Komunës precizohet edhe në statutin e Komunës, ku kërkesa për largimin e kryetarit duhet të nënshkruhet nga 20 për qind e trupit votues, të cilët janë të regjistruar dhe pastaj duhet t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit Komunal, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës, për administrimin e votimit. Sipas statutit të Komunës nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit atëherë zgjedhjet e reja duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet. Numri total i votuesve të regjistruar në Komunën e Kamenicës është 38 mijë e 13 persona.
(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)